Fatura e biletes se Ahmed Shaheed Foto: KALLXO.com

Behgjet Pacolli paguan biletën e Ahmed Shaheed nga Dubai në ShBA

Me vendim të ish Kryeministrit Hashim Thaçi iu ishin ndarë 7 mijë e 458 euro Ahmed Shaheed vetëm për biletë avioni, një diplomati nga Maldivja, që iu ishte bashkuar ekipit të zëvendës kryeministrit Behgjet Pacolli në vizitën në Amerikë.

“Ndahen mjete financiare me vlerë prej 7,458.00 (shtatëmijë e katërqind e pesëdhjete e tetë euro) për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit të z.Ahmed Shaheed në New York i cili ju ka bashkangjitur delegacionit të ZV/Km të parë të Republikës së Kosovës z.Behgjet Pacolli me rastin e vizitës së tyre në New York”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Në këtë vendim nuk specifikohet se çfarë roli ka në Qeverinë e Kosovës Ahmed Shaheed.

Shaheed kishte ishte nisur për në aeroportin e New York-ut nga aeroporti i Dubait dhe pastaj kishte udhëtuar për në Genevë, ku ishte kthyer përsëri në aeroportin e Dubait për të zbritur përfundimisht në Maldive, prej nga edhe e ka origjinën vet Shaheed.

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruara pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa Han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.

Fatura e biletes se Ahmed Shaheed Foto: KALLXO.com