Behgjet Pacolli i arsyeton shpenzimet mbi normë të hotelit për këshilltarin e tij

Një udhëtim zyrtar i këshilltarit të zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli për në ShBA në vitin 2011 i kushtoi buxhetit të shtetit mijëra euro.

Jetlir Zyberaj që edhe sot ushtron detyrën e këshilltarit politik të Pacollit, që po ashtu është prapë zëvendëskryeministër, kërkoi që të fluturonte me klasin e dytë më të shtrenjtë të fluturimeve  ‘Business Class’. Në emaillin e rezervimit të biletës Zyberaj shkruan se kërkon që vendi i tij të jetë në këtë klasë duke paguar për të mbi 5 mijë euro.

Më 27 nëntor të vitit 2011, Zyberaj e shoqëroi Pacollin në vizitën zyrtare për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me Ibrahim Makollin.

Lidhur me fluturimin në relacionin Zurich-Frankfurt- Houston (SHBA), një biletë aeroplani për Zyberajn kushtoi 5 mijë e 715 euro në total.

Përveç kësaj ai për shpenzimet jashtë vendit kishte kërkuar avans prej 6 mijë e 950 euro dhe kishte shpenzuar 4 mijë e 85 euro gjithsej duke kthyer pjesën e mbetur.

Zyberaj në 12 ditët e vizitës zyrtare kishte qëndruar në hotele si ‘Intercontinental’, ‘The Ritz Carlton’, e të tjerë.

Mirëpo, zyra e zëvendëskryeministrit Pacolli bëri të ditur se në këtë rast Zyberaj kishte tejkaluar shpenzimet e parapara për hotel.

Vetë Behgjet Pacolli kishte dërguar shkresë  ku kërkon që këshilltarit të tij t’i rimbursohet kalimi i shumës së paraparë që sipas kësaj shkrese është bërë për arsye ‘objektive’.

“Ju njoftoj se këshilltari im Jetlir Zyberaj gjatë udhëtimit në SHBA nga datat 26 nëntor deri më 8 dhjetor 2011 ju lus që t’i riimbursohet të gjitha shpenzimet e tejkalimit të hotelit. Tejkalimi është bërë për shkaqe objektive”, i kishte shkruar Pacolli.

Pas shkresës së Pacollit shpenzimet ishin paguar.

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.