Hotel Rahphel, Paris France Foto: Hotel Raphael

Behgjet Pacolli flen në hotelet e shtrenjta 'Hilton' e 'Raphael' me para të buxhetit

Zëvendës Kryeministri, Behgjet Pacolli, kishte paguar pagur për dy ditë qëndrim në një hotel në Francë plotë 1 mijë e 274 euro me para të shtetit.

Ai kishte qëndruar në Paris të Francës me 28 tetor deri më 30 tetor 2011.

Fatura e hotelit për këto dy ditë qëndrimi në Paris, i kishte kushtuar shtetit 1 mijë e 274 apo 637 euro për një ditë/natë në hotelin “Raphael” në kryeqyetin francez.

Para Parisit ai kishte qëndruar edhe në kryeqytetin e Austrisë, në Vjenë. Aty Pacolli kishte qëndruar për 3 ditë, nga 23 tetori deri më 26 tetor dhe kishte paguar 530 euro apo 176 euro për një ditë/natë në hotel “Hilton”.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje nga kabineti i Pacollit për këtë udhëtim por megjithë pranimin e pyetjeve, këshilltari i tij Jetlir Zyberaj nuk ka kthyer përgjigje.

Në një letër të gjatë, gjatë ditës së djeshme, Pacolli kishte shkruar se gjatë periudhës kur janë kryer shpenzimet në dosjen SaHanShefi ai nuk kishte shpenzuar para të shtetit.

“Unë nuk kam marrë as rrogë; as mëditje dhe shpenzimet e hoteleve dhe shumicën e madhe të biletave të udhetimeve zyrtare i kam paguar poashtu nga xhepi; nuk kam pasur makinë zyrtare dhe nuk kam konsumuar as një liter benzinë, për tërë kohēn sa isha në qeveri” ka shkruar Pacolli. Kallxo.com ka publikuar një varg faturash të shpenzimeve të kryera nga zyrtarë qeveritarë gjatë vitit 2010-2012.

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.

Hotel Rahphel, Paris France Foto: Hotel Raphael


Hotel Hilton, Viena, Austri Foto: Hotel Hilton