Autostrada kah 'livadhet' e Rufki Sumes

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma ia ka parë hajrin ndërtimit të autostradës “Arbën Xhaferi”. Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Suma ka deklaruar se ka përfituar 11 mijë e 250 euro nga shpronësimi i pronës për autostradën.

Në AKK, kryetari i Hanit të Elezit ka deklaruar se këtë shumë e ka shfrytëzuar për kryerjen e haxhit.

“Këtu nuk janë llogaritur pensioni i pleqërisë së nënës si dhe mjetet nga shpronësimi i pronës për autostradë në një vlerë 45.000 të cilat janë ndarë në 4 pjesë të barabarta, ku vetëm pjesa ime në vlerë prej 11.250 euro është shfrytëzuar për kryerjen e hagjit për mua dhe bashkëshorten time”, thuhet në deklarimit e Sumës në AKK.

Suma ndër të tjerash në AKK ka deklaruar edhe  një shtëpi në pronën e tij, me 197 metra katrorë në vlerë prej 59 mijë e 100 euro.

Dy toka me prejardhje nga prindërit, kryetari Suma i ka deklaruar se janë në pronësi të përbashkët me vlerë 7 mijë e 440 euro.

Gjithashtu në pronësinë e tij, Suma ka deklaruar edhe dy toka, si dhe një oborr, me vlerë 107 mijë e 360 euro.

Ndërkaq, një veturë të tipit “Tauran”, Suma e ka deklaruar në pronësi të fëmijëve, e cila kap vlerën 6 mijë euro.

Gjithashtu, kryetari i Hanit të Elezit në bankë ka deklaruar se i posedon më shumë se 1800 euro.

Përveç këtyre, Suma ka të hyra vjetor prej 18 mijë eurosh edhe nga paga në komunë, mëditjet për udhëtimet jashtë vendit dhe një pension i TMK-së.