Pamje nga Peja

Asamblisti i PDK-së në Pejë, fiton mijëra euro nga ekspertizat psikiatrike

Muhamet Halitaj është asamblist i Partisë Demokratikë të Kosovës, në Kuvendin Komunal në Pejë.

Mirëpo përveç pozitës së asamblistit, ai ka deklaruar në Agjencionin Kundër Korrupsion edhe tri punë të tjera të cilat ai i kryen.

Halitaj ofron ekspertizë psikiatrike për Gjykatën Themelore në komunën e Pejës, Deçanit, Klinës dhe Istogut, është mjek psikiatër në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, si dhe në Qendrën Diagnostike Terapeutike “Biohit” në Pejë.

Asamblisti i PDK-së në Pejë, ka deklaruar një shtëpi në vlerë prej 70 mijë eurove, e cila ka sipërfaqen prej 120 metra katrorë, një banesë e cila kap shumën prej 68 mijë eurove, dy toka të cilat kapin vlerën prej 5 mijë eurove secila edhe pse njëra ka 50 ari dhe tjetra 3 ari.

Tek pasuria e përbashkët, Halitaj ka deklaruar se ka në pronësi 30 për qind të aksioneve në Pishinën “Drini”, e cila ka hapësirën 1,250.00 metra katrorë, e që sipas tij, kap vlerën prej 50 mijë eurove, si dhe që ka një tokë prej dy hektarësh nga trashëgimia e cila ka vlerën e 80 mijë eurove.

Veturën të cilën ky asamblist e ka blerë në vitin 2018-të, thotë se ka vlerën e 10,500.00 eurove.

Një mijë e 740 euro, ky asamblist i ruan në bankë, mirëpo ai dhe bashkëshortja e tij, u kanë borxh dy bankave për blerjen e banesës, Halitaj i ka borxh 37 mijë euro, kurse bashkëshortja e tij, i ka 12,500.00 euro.

Kur jemi tek të hyrat vjetore, asamblisti i PDK-së Muhamet Halitaj, ka deklaruar se nga Spitali Rajonal në Pejë i fiton 12 mijë e 131 euro, nga mëditjet në Kuvendin Komunal të Pejës, i merr gjithsej dy mijë e 586 euro në vit, kurse nga ekspertiza mjekoligjore për Gjykatën Themelore, i merr 9 mijë euro në vit.

Nga puna që e bën në Qendrën Diagnostike “Biohit” në Pejë, ai merr 5,400.00 euro në vit, ndërsa nga Qendra e Paraburgimit në Pejë, merr 1,656.00 euro.

Në Spitalin Rajonal të Pejës, punon edhe bashkëshortja e Halitajt, e cila sipas deklarimit të tij në AKK, merr 4,205.00 euro.

Këtu mund ta gjeni deklarimin e pasurisë së asamblistit Muhamet Halitaj.