Agim Aliu, PDK, Ferizaj. Foto: Atdhe Mulla

Agim Aliut i rritet 'keshi"

Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliut i janë shtuar paratë e gatshme në krahasim me vitin paraprak.

Nga 18 mijë e 542 euro sa i kishte deklaruar në vitin e kaluar, Aliu këtë vit në Agjencinë kundër Korrupsion ka treguar se ka 32 mijë e 800 para të gatshme në disa banka të Kosovës.

17 mijë e 900 euro ka thënë se i ka në bankën ProCredit, 14 mijë e 500 euro në Raiffaisen Bank ndërsa të gruas së tij i ka deklaruar 400 euro në ProCredit Bank.

Pasuria e tij e paluajtshme nuk ka ndryshuar nga viti që e lamë pas, ai edhe këtë vit ka treguar se posedon rreth 375 mijë euro pasuri të paluajtshme për të cilat ka thënë se janë trashëgimi.

Kjo pasuri e paluajtshme përfshin një shtëpi banimi në vlerë 50 mijë euro, një truall 20 hektarë që e ka vlerësuar 80 mijë euro, një truall tjetër 55 hektarë 200 mijë euro, një tokë bujqësore 15 mijë euro dhe një mal 70 hektarë 30 mijë euro.

As pasuria e luajtshme nuk ka shënuar rritje nga ana e kryetarit të Ferizajt.

Ai ende e ka veturën Golf 5 të cilës këtë vit i ka rënë vlera në 5 mijë e 500 euro, sa e kishte vlerësuar në vitin që e lamë pas 6 mijë e 500 euro.

Edhe gruaja e tij posedon veturën e njëjtë Citroen C3, të cilës i ka rënë po ashtu vlera nga 3 mijë euro në 2 mijë.

Por të hyrat vjetore të të parit të komunës së Ferizajt kanë shënuar rritje.

Nga 22 mijë e 996 euro sa i kishte deklaruar të hyrat e vitit 2017, ai në deklarimin e bërë në vitin 2019 thotë se kishte 23 mijë e 736 euro të hyra vjetore.

Ndër to ai ka thënë se nga paga e tij janë 15 mijë e 492 euro, të gruas së tij e cila punon në Drejtori të Arsimit 5 mijë euro dhe pensionin e prindit mbi 3 mijë euro.

Me gjithë këtë pasuri Agim Aliu në AKK ka deklaruar se nuk ka asnjë kredi dhe se nuk është pronar i asnjë biznesi.

KALLXO.com është duke publikuar deklarimet e pasurisë për të gjithë zyrtarët e lartë, të cilat mund të i lexoni në këtë link.