Agim Aliu dhe vartësit e tij të apasionuar pas verës, e paguajnë me para të shtetit

Në komunën e Ferizajt, zyrtarët e komunës po del se janë të apasionuar pas pijes alkoolike, verës.

Në faturat drekave dhe darkava të paguara nga buxheti i Komunës e të siguruara nga KALLXO.com, vërehet se pjesë e faturave të shtrenja janë edhe pijet alkoolike, më së shumti prej tyre verat.

KALLXO.com ka nxjerrë disa prej rasteve kur zyrtarët e komunës së Ferizajt në drekat apo darkat e tyre kanë pirë verë.

Në 7 fatura të drekave dhe darkave zyrtare të analizuara nga KALLXO.com,  janë pirë 14 shishe verë.

KALLXO.com ua sjellë detajet e këtyre 7 drekave dhe darkave me alkool.

Në këto dreka e darka janë porositur edhe gjërë të tjera nga kuzhina e nga pijet.

Një shishe verë e llojit “Elephant Chardonary” me vlerë 20 euro ishte  porositur prej Drejtorisë për Shërbime Publike në korrik të 2018, ndërsa e gjithë fatura e drekës kishte kushtuar 60 euro.

Ata kanë provuar edhe verën e prodhuar në shtetin fqinjë, Maqedonisë. Zyrtarë të kësaj komune kishin pirë 2 shishe verë të llojit “Aleksandria” në mars të 2018. Nji shishe e tillë e verës kishte kushtuar 18 euro. Në total, dy shishe verë në këtë drekë i kishin kushtuar buxhetit të Komunës së Ferizajt 36 euro. Ndërsa dreka totale e kësaj nate kishte kushtuar 192 euro.  Fatura ishte shtypur në ora 21:30.

Ndërsa në një drekë tjetër në shkurt, nga zyra e Kyretarit të Komunës ishte porositur një shish tjetër e verës, Stone Castle me vlerë prej 18 euro.  E gjithë fatura e drekës kishte kushtuar 79 euro e 50 cent.

Ndërsa në fund të majit të vitit të kaluar, Kabineti i kryetarit Agim Aliu kishte paguar drekë më vlerë 477 euro.

Në këtë drekë  ishin porositur disa shishe verë. 3 shishe të llojit “Elephant Chardonary”, në total 60 euro, ishin pirë këtë ditë dhe ishin paguar nga xhepi i komunës. Aty ishte pirë edhe një lloj tjetër i verës. Një shishe “Stone Castle” e 20 eurove ishte pirë gjithashtu. Në total, vetëm për shishe të verës në një drekë të vetme, buxheti i komunës ishte zvogëluar 80 euro.

Verë e llojit “Elephant Chardonary” e 20 eurove ishte porositur edhe në një drekë tjetër të Qershotit të vitit të kaluar. Në faturat e shpenzimeve që i posedon KALLXO.com, thuhet se kjo drekë ishte shtruar për zyrtarët e Ministrisë së Shendetësisë që kishin vizituar komunën e Ferizajt atë ditë.  E gjitha fatura e drekës kishte kushtuar 106 euro.  Në këtë drekë janë ngrënë edhe 4 salmon furrë që kishin kushtuar 42 euro. Fatura ishte nënshkruar nga Kabineti i kryetarit Agim Aliu.

 

Agim Aliu dhe Uran Ismajli Foto: Agim Aliu

Drekë e shtrenjë e me disa shishe verë ishte shtruar edhe për një delegacion gjerman që kishte vizituar komunën e Ferizajt në shkurt të 2018.

Në drekën e 356 eurove ishin porositur 4 shishe verë të llojit Stone Castle, të cilin kishin kushtuar 100 euro në total, 25 euro për një shishe.

Përvec shisheve 0.75 litërshhe, në këtë drekë ishin porositur edhe 7 shishe të vogla të verës, 0.25 litërshe, të llojit “Grand Cuvee e kuqe”. Një shishe e tillë kishte kushtuar 3.5 euro. Në total këto shishe kishin kushtuar 24 euro e 50 cent.

Ndërsa në një faturë tjetër që e posedon KALLXO.com, vlera e së cilën arrin shifrën e 357 eurove, Komuna e Ferizajt ka paguar edhe 2 shishe tjera verë të llojit “Stone Castle Cabernet”. Një shishe e tillë në restaurant “Orchide”, kishte kushtuar 25 euro, ndërsa për dy të tilla që ishin pirë me 15 shkur të vitit të kaluar, Komuna kishte paguar 50 euro.

KALLXO.com ka raportuar se se si Komuna e Ferizajt për 200 veteranët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës kishte shpenzuar 400 euro për pasul me mish, ndërsa në faturat e tyre figurojnë shishet e verës, mish i pjekur në furrë, bifteku e salmoni.

KALLXO.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Komunave të Kosovës. Në rubrikën Dosja do gjeni të dhënat sa hanë e pinë kryetarët e vartësit e tyre me paratë e shtetit.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.