Harta e komunave ku buxheti harxhohet në birra e raki

Një numër i madh i komunave të Kosovës , buxhetin e tyre e shpenzojnë duke blerë lloje të ndryshme të alkoolit.

Duke filluar nga kryeqyteti, Prishtina e deri tek edhe komunat më të vogla siç është ajo e Vitisë, komunarët e këtyre komunave janë përkujdesur që buxhetin ta shpenzojnë në alkool.

KALLXO.com në kuadër të dosjes Sa Han Kryetari, ka publikuar shpenzimet e Komunave të Kosovës në dreka dhe darka zyrtare për periudhën dhjetor 2017 deri në gusht 2018.

Në bazë të analizimit të faturave të 22 Komunave, 15 nga to kanë rezultuar se shpenzojnë buxhetin e komunës në alkool, ndërsa vetëm 7 komuna nuk kanë shpenzuar buxhetin në alkool.

Komunat të cilat kanë harxhuar buxhetin e tyre në alkool janë: Komuna e Prishtinës, Komuna e Mitrovicës, Hanit të Elezit, Suharekës, Prizrenit, Ferizajt, Gjakova, Peja, Istogu, Vitia, Kaçaniku, Rahoveci, Juniku, Klina si dhe Komuna e Shtimes.

KALLXO.com ka analizuar faturat të cilat komunat i kanë ofruar, një pjesë e madhe e faturave kanë pasur vetëm togfjalëshin “ushqim+pije”, mirëpo në bazë të faturave në të cilën janë të treguara ushqimet dhe pijet që janë konsumuar rezulton se komunat që nuk kanë blerë alkool me para të buxhetit të komunës janë: Komuna e Vushtrrisë, Malisheva, Mamushës, Kamenicës, Lipjanit, Drenasit, Obiliqit.

Nga sa para të buxhetit shpenzuan komunat në alkool?

Në total 15 komunat të Kosovës, kanë harxhuar mbi 1950 euro të tatim paguesve kosovar në blerjen e pijeve alkoolike.

Në 11 faturat e drekave dhe darkave zyrtare të publikuara në uebfaqen e Komunës së Prishtinës, njëra nga faturat e paguara përmban edhe pije alkoolike. Në drekën zyrtare me vlerë prej 70 euro, janë pirë 3 gota raki të dardhës me vlerë totale prej 9 euro.
Përveç kryeqytetit, edhe Komuna e Mitrovicës ndonëse në sasi të vogël ka shpenzuar 51 euro të  buxhetit të saj në alkool. Ata kishin pirë 12 verëra të kuqe, 14 birra të pejës, 1 Smirnoff dhe 1 raki të ftonit.

Konsumimin e alkoolit me para të buxhetit e toleroi edhe Komuna e Hanit të Elezit, pije të ndryshme alkoolike në vlerë prej 6 eurove janë paguar nga buxheti i komunës.

Në drekën e 14 dhjetorit të vitit 2017, ishin shpenzuar në total 111 euro përveç ushqimit dhe pijeve tjera janë pirë edhe 2 birra të Pejës e një gotë verë e kuqe, që në total kanë kushtuar 4 euro.

Ndërsa në rastin tjetër, drekën e 11 janarit të 2018 është pirë edhe 1 birrë e llojit Heineken me vlerë 2 euro. E gjithë dreka kishte kushtuar 119 euro.

Edhe komunarët e Suharekës nuk kanë ‘ngurruar’ të shpenzojnë buxhetin në alkool, ndonëse jo birrat, këta të fundit kanë konsumuar verërat e llojeve si Rose, Pinotblance dhe Sauvignoblanc.

Në drekën zyrtare të shtruar me 17 korrik të vitit të kaluar, zyrtarët e Komunës së Suharekës kishin pirë 3 shishe verë qmimi i të cilave nuk është bërë i ditur në faturën e dërguar nga komuna.

Si në disa komuna tjera edhe në Prizren, komunarët në drekat dhe darkave zyrtare kanë konsumuar pije alkoolike të paguara nga buxheti i komunës. Ata kanë harxhuar 172euro e 50 cent duke paguar lloje të ndryshme të pijeve alkoolike.

KALLXO.com ka analizuar drekën e 22 janarit të vitit të kaluar, janë pirë 2 shishe verë të llojit “Stone Castle” te cilat në total 45 euro.

Edhe në darkën 10 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ishin pirë 23 birra, që në total kishin kushtuar 26 euro.

Në drekën e ngrënë më 4 qershor të 2018, janë pirë 29 birra të 3 llojeve të ndryshme që kanë kushtuar në total 39 euro.

Përveç birrave, aty është pirë edhe një gotë verë me vlerë prej 3 euro si dhe 5 gota “Viljamovka” që në total e kanë kushtuar 12.5 euro.

Ndërsa në një faturë tjetër të datës 4 prill 2018 ishin pirë 2 shishe verë të llojit “Cabernet” me vlerë prej 40 euro në total. Përveç verës, komunarët e Prizrenit kishin pirë edhe 10 birra.

Ndërsa Komuna e Ferizajt ishte përkujdesur që buxhetin e komunës ta shpenzonte në alkool vetëm në rastet kur kishte mysafir, në tri darka të ndryshme komunarët e Ferizajt kanë shpenzuar 362 euro në alkool.

Në drekën zyrtare të shtruar për ministrinë e Inovacionit, Besim Beqaj ishin shpenzuar 126 euro për 7 shishe verë të llojit “Cormons Pinot”

Ndërsa në fund të muajit maj për vizitë Agim Aliu i kishte shkuar edhe shefi i tij partisë, Kadri Veseli, por në faturën e drekës së përbashkët, janë porositur 3 shishe stone castle, me vlerë totale 60 euro. Gjithashtu janë porositur edhe dy shishe verë Theranda të cilat kanë kushtuar në total 76 euro.

Përveç bashkpartiakëve, Agim Aliu në mars të këtij viti kishte pritur për drekë zyrtare edhe një delegacion prej Qeverisë së Kosovës, në këtë drekë ishin pirë 4 shishe verë që kishin kushtuar 100 euro në total, 25 euro secila.

Buxhetin e Komunës në alkool e kishte shpenzuar edhe paraardhësi i Agim Aliut, Muharrem Sfarqa i LDK-së.  Në një takim të Kuvendit komunal me banorët e fshatit Nerodime, zyrtarët e Komunës së Ferizajt kanë shpenzuar mbi 80 euro.

Ata në këtë drekë kanë pirë 20 rakia të dardhës që i kushtuan shtetit plotë 40 euro. Përveç rakisë së dardhës, ata kanë pirë edhe 2 gota Jack Daniels në vlerë 7 euro , 2 birra Heiniken në vlerë 5 euro, 2 birra të shkupit në vlerë 2 euro dhe 6 birra të pejës në vlerë 6 euro.

Zyrtarët e Komunës së Ferizajt kanë konsumuar edhe një gotë verë e llojit Chardonary që kishte kushtuar 3 euro si dhe 5 gota verë të llojit Vranac që i kushtuar buxhetit të shtetit 17 euro e gjysmë.

Në listën e Komunave që kanë shpenzuar buxhetin në alkool është edhe komuna e Gjakovës, Zyra e Kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka shpenzuar 281 euro për alkool në 9 dreka të cilat i ka analizuar KALLXO.com.

Vetëm në një drekë ishin shpenzuar 125 euro për 5 shishe verë Stone Castle Cabernet, një shishe kishte kushtuar 25 euro copa.

Ndërsa në një drekë tjetër, më 17 janar janë konsumuar 3 shishe verë të llojit “Lucarelli Primitivo”, që i kanë kushtuar buxhetit të Komunës 54 euro apo 18 euro për copë. Në po këtë drekë ishin porositur edhe 6 rakia të llojit “Viljamovka Dardha” me vlerë totale 18 euro apo 3 euro copa.

Shishe verë të llojit “Lucarelli Primitivo”, zyra e Kryetarit e kishte paguar edhe me 8 maj të vitit të kaluar. 18 euro ishin shpenzuar për këtë shishe verë.

Përveç Gjakovës edhe Komuna e Pejës, konsumon alkool të paguar nga buxheti i kësaj komune. KALLXO.com ka analizuar faturat e shpenzimeve ku komunarët e Pejës kanë harxhuar 458 euro në alkool.

Ata kanë konsumuar 215 birra të cilat buxhetit të komunës i kanë kushtuar 263 euro e 50 cent. Disa prej birrave kanë kushtuar 1 euro e disa prej tyre 1 euro e gjysmë, varësisht sa kanë qenë të mëdha.

Ndërsa komunarët e Pejës, përveç birrave kanë konsumuar edhe verëra e raki të llojeve të ndryshme. Në një drekë, zyrtarët e Komunës së Pejës kanë porositur 2 shishe verë të llojit “Stone Castle”, me vlerë totale prej 60 euro apo 30 euro për shishe.

Ndërsa 134 euro e 50 cent janë shpenzuar poashtu për pije alkoolike. Në këtë shumë hyjnë gotat e rakive të ndryshme e gotat me verë.

Merakli të birrave e rakisë janë treguar edhe komunarët e Istogut, në 13 fatura të drekave dhe darkave zyrtarë të kësaj komune të analizuara nga KALLXO.com, zyrtarët e kësaj komune kanë pirë rreth 200 birra e mbi 40 gota raki dhe verë, të cilat buxhetit të komunës i kanë kushtuar 291 euro.

As në komunën e Vitisë, zyrtarët e saj nuk kanë mundur t’i rezistojnë konsumimit të pijeve alkoolike me para të buxhetit të Komunës. Ata kanë shpenzuar 56 euro nga buxheti i vogël i komunës për të blerë alkool.

Në një drekë zyrtare të 15 janar të vitit të kaluar, Komuna e Vitisë kishte paguar për një shishe verë 15 euro. Lloji i verës i pirë nga komunarët e Vitisë kishte qenë “Vranac Pokorode”. Në po këtë drekë ishin pirë edhe 5 birra me vlerë prej 5 euro.

Ndërsa në drekën tjetër të muajit mars 2018, Komunarët e Vitisë kishin pirë 2 shishe verë Vranac me vlerë totale 30 euro. Një shishe verë kishte kushtuar 15 euro.

Në drekën e 15 marsit të 2018, ishin pirë 3 gota raki të shpisë te cilat kishin kushtuar 3 euro dhe 1 gotë verë e llojit “Vranac” e cila kishte kushtuar 3 euro.

Në listën e Komunave të cilat me buxhetin e shpenzojnë në alkool është edhe komuna e Kaçanikut. Ndonëse vetëm 19 fatura të shpenzimeve të drekave dhe darkave zyrtare, KALLXO.com ka vërejtur se edhe Komuna e Kaçanikut blenë alkool me buxhetin e vogël të komunës.

Në drekën e datës 15 gushtë 2018, përveç mishit të qengjit u konsumuan edhe 14 gota të rakisë të cilat kushtuan 21 euro.

Komuna e Rahovecit ka shpenzuar 70 euro të buxhetit vetëm për shishe të verës.

Zyrtarët e komunës së Rahovecit më 24 maj të 2017, kishin pirë 4 shishe verë të llojit “Cabernet Elephant” me vlerë totale 64 euro apo 16 euro për shishe. Atyre nuk i kishin mjaftuar 4 shishe verë dhe kishin porositur edhe 4 gota të po kësaj verë, që kishin kushtuar 6 euro.

Ndonëse në sasi të vogël, edhe Komuna e Shtimes, ka harxhuar para në alkool, ata kanë blerë gjithsej 4 birra të cilat kanë kushtuar 4 euro.

Në faturën e datës  28 qershor 2018 komunarët e Shtimes konsumuan dy birra peja të cilat kushtuan 2euro, edhe më datën 25qeshor 2018 komunarët e Shtimes konsumuan sasinë e njëjtë të alkoolit.

Edhe komunarët e Junikut harxhuan buxhetin në alkool, më pakë birrat e më shumë rakinë, ata harxhuan 16 euro e 90 cent në alkool. Në faturën e datës 19 janar 2018, komunarët e Junikut pinë 9 gota raki ftoi që buxhetit të komunës i kushtoi 9euro, ndërsa në datën 24 janar 2018 komunarët e Junikut konsumuan 1 gotë raki molle dhe 3 gota raki kumbulle të cilat kushtuan 4 euro.

Ndërsa më 13 gusht 2018 komunarët e Junikut konsumuan 3 birrë të pejës në vlerë prej 3.90 euro.

Edhe Komuna e Klinës ka shpenzuar buxhetin në alkool, ata më së shumti kanë konsumuar birrat e pejës. Në 7 fatura të analizuara komunarët e Klinës kanë konsumuar rreth 80 lloje të ndryshme të alkoolit të cilat buxhetit të komunës i kanë kushtuar hiq më pak se 85 euro.

Lista e pijes së preferuar alkoolike kryesohet nga birra peja ku janë konsumuar 48 birra sosh, pastaj nga një birrë lokale e quajtura Grember e bardhë ku janë konsumuar 12 sosh.

Ndërsa nga verërat më së shumti kanë konsumuar verën e llojit Chardonnay, me 6 sosh të konsumuara të cilat buxhetit të komunës i kanë kushtuar 12 euro.

Ndërsa vera e llojit Cabernet 187 Illyrian është preferuar nga pushtetarët e Klinës, ata kanë konsumuar  4 sosh të cilat kanë kushtuar 8 euro.

Komunat të cilat nuk shpenzuan buxhetin në alkool

KALLXO.com në bazë të faturave që vet komunat i kanë dhënë, ka nxjerrë edhe listën e komunave të cilat nuk kanë shpenzuar buxhet në alkool.

Ndonëse në mesin e këtyre komunave në disa fatura është përdorur vetëm togfjalëshi “ushqim+pije”, KALLXO.com në bazë të faturave ku janë të treguara produktet ka arritur të tregoj se komunat që nuk shpenzojnë buxhet ne alkool janë: Vushtrria, Malisheva, Kamenica, Mamusha, Lipjani, Drenasi, Obiliqi.

KALLXO.com në kuadër të dosjes ‘Sa Han kryetari’ ka raportuar se në Komunën e Vushtrrisë, paratë e shtetit nuk janë shpenzuar për të blerë vera të huaja të shtrenjta e ushqime deti por për të kontribuar në fuqizimin e shoqatave të grave që prodhojnë fli, pite, mantia e krelana- prodhime tradicionale vendore.

Edhe në Komunën e Mamushës, KALLXO.com ka analizuar edhe 20 fatura të të kësaj komuna, dhe ka vërejtur se në asnjë nga këto fatura nuk ka shpenzime në pije alkoolike. Ndonëse darkat dhe drekat zyrtare të komunarëve së Mamushës janë mjaftë luksoze dhe me shumë shpenzime.

Në Komunën e Malishëvës KALLXO.com ka analizuar 62 fatura, dhe në asnjë prej këtyre faturave nuk ka pasur alkool, edhe pse në shumë raste nuk kanë qenë të treguara produktet.

Po ashtu edhe në Komunën e Kamenicës, gjatë analizimit të 72 faturave në disa prej të cilave nuk tregohej se për çfarë produkte bëhej fjalë, nuk është vërejtur se buxheti i komunës është shpenzuar në alkool.

Në listën e komunave që nuk shpenzojnë buxhetin ne pije alkoolike është edhe Lipjani, ndonëse në mbi 82 fatura pjesa më e madhe e tyre nuk kanë të treguar produktet por vetëm çmimin në total.

Komuna e Drenasit, për KALLXO.com ka dhuruar mbi 1000 fatura por shumica nga to kanë togfjalëshin ‘ushqim+pije’, ndërsa në ato ku tregohen produktet nuk ka alkool të paguar me buxhet të komunës.

Ndërsa Komuna e Obiliqit ka ofruar 36 fatura, në të cilat KALLXO.com nuk ka vërejtur se ka shpenzim të buxhetit në pije alkoolike.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.