Ilustrim

Dosja: Vajza shitej për seks tek biznesmenët e Prishtinës pagesat deri në 1 mijë euro

Në Gjykatën e Mitrovicës ka nisur rigjykimi i A.H., i akuzuar për veprën penale – trafikim me qenie njerëzore.

Pas leximit të aktakuzës prokurorja Zejnie Kela, A.H. tha se ndihet i pafajshëm.

Akuza e Prokurorisë së Mitrovicës thotë për A.H. se në data të papërcaktuara në interval kohor nga viti 2011 deri në tetor të vitit 2012 në ka marrë pjesë në trafikimin e njerëzve.

I njëjti thuhet se fillimisht e kishte rekrutuar të dëmtuarën A.T., duke përdorur forcën dhe forma tjera të shtrëngimit, duke e mbajtur nën kontroll të rreptë e të robëruar.

Sipas akuzës, i pandehuri fillimisht kishte hulumtuar persona të përshtatshëm me gjendje të mirë financiare për t’i joshur, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete.

Kurse më pas e dëmtuara A.T. nga i akuzuari ishte detyruar që personave të tjerë t’u ofrojë shërbime seksuale kundrejt një pagese dhe përfitimeve të tjera, e të cilat më pas ajo ia kishte dorëzuar të pandehurit.

Ndërsa shumat e parava që merrte e dëmtuara nga personat e ndryshëm për kryerjen e këtyre shërbimeve silleshin prej 20 deri në 1.000 euro.

Me këtë i akuzuari A.H. ngarkohet për kryerjen e veprës penale – trafikim me njerëz.

Pas kontrollit që ishte bërë në banesën e tij në Vushtrri ishte gjetur 1.13 gram marihuanë, të cilën ia kishte dërguar të dëmtuares A.T., meqenëse e njëjta ka bashkëjetuar me të pandehurin, thuhet në akuzë.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale – blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Po ashtu, në kohë të panjohur në mes të viteve 2011 dhe tetor 2012, të dëmtuarën A.T. e kishte detyruar përmes armës së zjarrit që të zhvishet duke i vënë pistoleten mbi trup.

Për këtë akuzohet se ka kryer veprën penale – përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Gjithashtu i pandehuri akuzohej edhe edhe për kryerjen e veprës penale – lëndim i lehtë trupor, por për këtë vepër ka rezultuar se ka arritur parashkrimi absolut andaj edhe Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale.

Gjykata Themelore e Mitrovicës në dhjetor të vitit 2014 të pandehurin  e kishte liruar nga akuza për trafikim me njerëz, ajo për narkotik dhe atë të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Ndërsa i njëjti ishte shpallur fajtor për veprën penale – lëndim i lehtë trupor.

Kurse Gjykata e shkallës së parë kishte refuzuar akuzën për veprën – mbajtja në pronësi ose posedim i paautorizuar i armëve.

Por, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim çështjen duke e vlerësuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës se me rastin e marrjes se vendimit nga shkalla e parë ishin bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas aktvendimit të Apelit, të siguruar nga KALLXO, “shkalla e parë kishte bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të ndërlidhura me bazën ankimore vërtetim i gabuar i gjendjes faktike që e vënë në dyshim edhe aplikimin e drejtë të ligjit penal”.

Kurse meqenëse çështja është kthyer në rigjykim me rastin e mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, fjalën hyrëse e kanë dhënë prokurorja Zejnie Kela, mbrojtësi i viktimave Eron Prekazi dhe mbrojtësi i të pandehurit, avokati Kapllan Baruti.

Për shkak se dëshmitarët A.T. dhe F.Z. nuk kanë prezantuar në seancë, ndonëse ishin ftuar në mënyrë të rregullt, gjyqtari i rastit, Burim Ademi, e ka shtyrë seancën.