Vrasja ne Lipjan 01 foto KALLXOcom

Dosja: Si u vra prapa shpinës punëtori i kazinos në Lipjan

Gjykata e Prishtinë ka sqaruar sot në detaje se si ndodhi vrasja në kaznion “Matrix” në Lipjan, mbrëmjen e 20 marsit.

Gjykata ka dhënë detaje se si dorasi A.P, me qëllimin që të kryejë grabitje, dyshohet se e kishte vrarë punëtorin e kazinos prapa shpinës duke i kërkuar një pije.

Në njoftim thuhet se rreth orës 18:30, dorasi A.P ishte futur në kazino, dhe ishte afruar te banaku duke kërkuar nga viktima një pije.

Gjykata ka sqaruar se kur viktima ishte afruar te frigoriferi për të marrë pijen, dorasi kishte nxjerrë pistoletën nga brezi dhe ia kishte drejtuar viktimës duke i kërkuar paratë.

Pasi viktima kishte dorëzuar kuletën e tij me të holla, dorasi kishte qëlluar viktimën dy herë me pistoletë, duke e goditur atë në pjesën e shpinës, i cili kishte vdekur në vend.

Në njoftim thuhet se dorasi kishte marrë nga viktima shumën e parave, ku sipas gjykatës vlera e tyre ka qenë rreth 3 mijë euro dhe ishte larguar në drejtim të panjohur.

Policisë dhe Prokurorisë i është dashur të punojë për dy javë radhazi që të arrestojë dorasin e vrasjes në kazino.

Në orët e vona të datës 3 prill, Policia në bashkëpunim me Prokurorinë kanë mbajtur një konferencë për media ku njoftuan se kanë arritur të arrestojnë një person të dyshuar për vrasjen në kazino në Lipjan.

Policia kishte deklaruar se me  pas arrestimit të personit të dyshuar ka konfiskuar edhe dy armë, prova të tjera materiale dhe një veturë.

KALLXO.com ka raportuar sot se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar paraburgimin e të dyshuarit për grabitje në kazino e Lipjanit, ku si pasojë mbeti i vrarë një person.

Ps kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Gjykata Themelore në Prishtinë , Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur sot  për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.P për shkak të veprave penale grabitje dhe mbajtja në pronësi kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.

Të dyshuarit A.P, Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.