Dosja e prokurorisë: Polici dyshohet se qëlloi viktimën me armë zyrtare nga 1 metër afërsi

Të dyshuarit Sh.S., zyrtar policor, iu caktua të martën masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe të veprës penale mbajta në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.

https://kallxo.com/gjykata-e-mban-ne-paraburgim-policin-e-dyshuar-per-vrasje-ne-suhareke/

Në aktvendimin e gjykatës për caktimin e paraburgimit thuhet se “i pandehuri me qëllim të fitimit të dobisë pasurore me dashje privon nga jeta të ndjerin me iniciale J.A. punëtor i kazinosë, në atë mënyrë që shkon në kazino dhe aty qëndron deri në ora 05:00”.

I dyshuari Sh.S., sipas dosjes së Prokurorisë Themelore Prizren, është rikthyer sërish kah ora 07:30 minuta, dhe papritmas gjatë lëvizjes në kazino në një moment ka nxjerrë armën – pistoletën e markës Glock, dhe nga një afërsi, në distancë një metër, ka shtënë një herë në pjesën e epërme të kokës të të ndjerit i cili ka qenë i ulur në fotele.

Nga plaga e marrë, mjeku i Emergjencës në Suharekë kishte konstatuar vdekjen e viktimës.

Gjykata në vendim e saj thotë se dyshimi i bazuar rrjedh nga faktet, rrethanat dhe provat e paraqitura nga Prokuroria e Shtetit.

Prokuroria gjithashtu ka vërejtur se mungon një fishek nga ngarkesa në 30 të tillë që Sh.S. i ka pasur si zyrtar i Policisë së Kosovës.

https://kallxo.com/prokuroria-policit-te-dyshuar-per-vrasje-i-mungonte-nje-plumb/

Mbrojtësi i të dyshuarit, avokati Sefer Morina, e kundërshtoi caktimin e paraburgimit sepse, sipas tij, nuk ka prova që e bëjnë të mbrojturin e tij fajtor për këtë vrasje.

“Përveç se është konstatuar vdekja e viktimës nga ana e raportit mjekësor, video incizimeve të vendit të ngjarjes si dhe një pistolete e cila është në pronësi të pandehurit Sh.S. e që e njëjta është në shfrytëzim zyrtar pasiqë i pandehuri me profesion edhe është polic, nuk është vërtetuar me asnjë provë se i njëjti është kryes i veprave penale që pretendon prokuroria”, tha avokati.

I dyshuari nuk komentoi më shumë nga ajo që e tha mbrojtësi i tij.

“E mbështes fjalën e avokatit, s’di çka me fol e me shtu ma shumë”, ishin fjalët e vetme të të dyshuarit Sh.S. gjatë seancës.

Prokuroria e Prizrenit ka gjetur se karikatorit të armës zyrtare të policit, Sh.S., i mungonte një plumb pas vrasjes që ndodhi të dielën në një kazino të Suharekës.

Sipas Prokurorisë, pas vrasjes së 32 vjeçarit në Suharekë, policit i ishte konfiskuar arma ‘Glock 9 mm’.

“Në vendin e ngjarjes gjatë bastisjes te i pandehuri përveç armës zyrtare 9 mm Glock që është konfiskuar, janë konfiskuar edhe 29 fishekë, ndërsa i pandehuri ka qenë i ngarkuar me 30 fishekë”, tha prokurori Mehdi Sefa.

Po ashtu fakti tjetër është se gëzhoja e gjetur në vendin e ngjarjes në pikëpamje të karakteristikave të përgjithshme përputhet me municionin që e ka pasur të ngarkuar si zyrtar i Policisë.

Gjatë seancës së sotme është shikuar përmbajtja e një CD-je që është nxjerrë nga serveri i kamerave të sigurisë të lokalit ku është kryer vepra penale.

Mediat dhe monitoruesit nuk janë lejuar të jenë të pranishëm në kohën e shikimit të CD-së, por prokurori i rastit Mehdi Sefa pretendon se në të janë provat kryesore të ngjarjes.

Madje prokurori Sefa këtë provë e quajti “mbretëresha e provave”.

https://kallxo.com/cd-ja-si-prove-e-prokurorise-per-vrasjen-ne-suhareke-degjohet-ne-gjykate/