Dosja e prokurorisë për falsifikimin e certifikatave të Veteranëve në Skenderaj

Prokuroria e Shtetit pretendon se u ka rënë në gjurmë një grupi nga Skenderaj të cilët merreshin me falsifikimin e certifikatave të veteranëve të UÇK-së.

Tashmë një 28 vjeçar nga fshati Klladernicë i komunës së Skenderajt është arrestuar nën dyshimet se ka falsifikuar certifikata të veteranëve të UÇK-së ndërsa dy persona të tjerë një grua dhe një burrë janë të dyshuar.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e prokurorisë së Mitrovicës ku ndër të tjera thuhet se 28 vjeçari Meriton Hasani dyshohet të ketë falsifikuar të paktën dy certifikata të veteranëve.

Sipas dosjes së prokurorisë qëllimi i falsifikimit ishte përfitimi material për dy personat A.S dhe Xh.B të cilët janë identifikuar nga prokuroria.

Meritoni është arrestuar në fillim të këtij muaji nga policia e Kosovës nën dyshimin se me certifikatat e falsifikuara u ka mundësuar personave të ndryshëm marrja e pensionit të veteranëve.

Ai lënë në arrest shtëpiak me vendim të gjykatës së Mitrovicës ndërsa në arsyetimin e gjykatës përmenden emrat e dy personave të tjerë që bashkëpunuan në këtë grup.

Aty ndër të tjera thuhet se personat nuk janë marrë në pyetje ende nga policia e prokuroria.

Gjatë mbajtjes së seancës paraprake kërkesa e prokurorisë ishte kundërshtuar nga i pandehuri, i cili kishte deklaruar se personat A.S dhe Xh.B i kishte pajisur me dokumente por se të njejta sipas tij nuk i kishte falsifikuar.

Kurse gjykatësi Mentor Hajra, duke pasur parasysh shkresat e lëndës dhe deklaraten e të pandehurit gjatë seancës ka konsideruar se ekziston baza ligjore që të njejtit ti caktoj masën e arrestit shtëpiak.

Sipas aktvendimit gjykata duke marr parasysh veprën penale, mënyrën e kryerjes, të kaluaren e të pandehurit ngase i njejti dyshohet se edhe në të kaluaren ka kryer vepra të ngjajshme penale, ndikimin që mund të ketë i pandehuri në dëshmitarë, caktimi i kësaj masë do ti pamundësoj një gjë të tillë.