Dosja e Prokurorisë: Gratë u trafikuan dhe u përdorën seksualisht në motele të Mitrovicës

Gjashtë persona po akuzohen për trafikim me njerëz.

Prokuroria e Mitrovicës akuzon Agim dhe Kujtim Hajdari, Lendita Berisha, Halil Strana, Raif Hasani, Rifat Delijaj se nga shtatori i vitit 2011 gjerë në muajin shkurt të vitit 2012 në bashkëkryerje kanë marrë pjesë në trafikimin e njerëzve.

Të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm para gjykatës.

Sipas akuzës së prokurorisë për përfitimet e tyre materiale, të dëmtuarat N.B dhe F.K i kanë punësuar fillimisht si kamariere në lokalin “ Kafe Bistrica “ pronar i së cilës sipas akuzës ishte i pandehuri Agim Hajdari.

Ndërsa të pandehurit Kujtim Hajdari e Lendita Berisha si punëtorë të lokalit, sipas marrëveshjes me të pandehurit e lartëcekur, me kërcënim kanë detyruar të dëmtuarën N.B që të ketë marrëdhënie seksuale në motelin “ Park “ dhe “ Furtuna “ me të pandehurit Halil Strana, Raif Hasani dhe Rifat Delijaj si dhe Mirsad N.

Sipas akuzës i pandehuri Agim Hajdari i ka thënë të dëmtuarës  se “ kam me ta thirr nanën tënde në telefon dhe me i tregu se ju punoni në kafe të rakisë dhe kam me të rrah me të lenë në kolicë invalid”.

Gjithashtu akuza e prokurorisë thotë se të pandehurit Agim dhe Kujtim Hajdari, e  Lindita Berisha kanë pasur kontroll mbi të dëmtuarat duke i kontrolluar lëvizjet e tyre.

Kështu sipas aktakuzës e pandehura Lendita Berisha edhe ka mbajtur çelësin e banesës ku kanë banuar të dëmtuarat dhe ka siguruar për klientet e kafenesë edhe dy gratët SS dhe NN për shërbime seksuale.

Tutje thuhet se të tre të pandehurit kanë detyruar të dëmtuarat N.B e F.K që të ulen me klientë të ndryshëm në tavolina e t’i ngacmojnë me prekje dhe të porosisin pije të shtrenjta dhe t’i joshin seksualisht për t’u sjellë përfitime materiale të pandehurve.

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale Trafikim me njerëz.

Gjithashtu i pandehuri Halil Strana, Raif Hasani dhe Rifat Delijaj akuzohen se në motelin “ Park “  dhe “ Fortuna “ në Mitrovicë kanë përdorur shërbimet seksuale të të dëmtuarës N.B duke e ditur se e njëjta ishte viktimë e trafikimit.

Të pandehurit sot para gjykatës janë deklaruar se nuk e ndiejnë veten fajtor për veprat me të cilat ngarkohen nga prokuria, me këtë asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë.

Pas kësaj gjykatësi i rastit i ka njoftuar mbrojtësit e të pandehurve dhe vetë të pandehurit se në afat prej 30 ditëve kanë mundesi që të paraqesin kundërshtimet në lidhje me akuzën.

Seanca e dytë e shqyrtimit nuk do të mbahet, ndërsa lidhur me kundërshtimet gjykata do të vendos jashtë seancës gjyqësore.