foto: kallxo.com

Dorëzohet në Prokurorinë Speciale dosja e gylenistëve

Komisioni Parlamentar për hetimin e rastit të deportimit të gjashtë shtetasve turq, kanë dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale dosjen me 31 shkelje gjetura nga ky komision.

Kryetari i këtij komisioni, Xhelal Svecla tha se pavarësisht se në këtë raport ka edhe emra të zyrtarëve të lartë, beson që Prokuroria do ta kryej punën pa ndikim.

“Bashkë me raportin kemi dorëzuar edhe 6 dokumente të tjera. Është vendimi i themelimin të komisionit, planin e veprimit të komisionit, provat materiale, listën e zyrtarëve të intervistuar, rrjedhën e ngjarjeve dhe listën e shkeljeve, parregullsive dhe mospërputhjen me kushtetutën, ligjet, aktet nënligjore”, tha Svecla.

“Prokuroria veçse ka ngritë rastin, ne vetëm po ndihmojmë që të sqarohet më mirë kjo duke qenë se ka dëshmi të verifikuara, nga dy e më shumë burime, ne besojmë se prokuroria do të jetë e suksesshme në zbardhjen e këtij rasti”, shtoi ai.

Ndërsa nënkryetari Driton Selmanaj, tha se pret që Prokuroria Speciale t’i marrë parasysh dokumente e dorëzuara në mënyrë që të arrijë në përfundime të sakta.

“Ne po besojmë që Prokuroria është vënë në lëvizje dhe tash dokumentet tona do t’i ndihmojnë që të vijnë në përfundime të sakta. Qëllimi ynë është të ndalim këdo që abuzon me rendin kushtetues të Kosovës”, shtoi ai.

https://kallxo.com/komisioni-per-hetimin-e-debimit-te-gylenisteve-sot-dorezon-dosjen-ne-prokurori/