Dorëzohet Aktakuza për të Pandehurit e Trazirave të Marsit

Prokurori ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Danilo Cecarelli sot ka dorëzuar Aktakuzë kundër katër të pandehurve për veprat penale: Vrasje e rëndë dhe tentim vrasje e rëndë ndaj zyrtarëve të UNMIK-ut gjatë trazirave të marsit të vitit 2004.

KALLXO.com, në korrik, kishte raportuar se të dyshuar të këtij rasti sipas këtij prokurori janë Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiçmari, Faik Shaqiri.

“Sot, 21 korrik 2017, një prokuror ndërkombëtar në PSRK ka parashtruar një Aktakuzë në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kundër katër të pandehurve të akuzuar për vrasje të rëndë dhe tentim vrasje të rëndë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ky rast ka të bëjë me vrasjen e rëndë të dy zyrtarëve të UNMIK-ut dhe tentim vrasjen e dy zyrtarëve tjerë të UNMIK-ut që ka ndodhur më 23 mars 2004 gjatë trazirave të cilat filluar pas mbytjes së dy fëmijëve shqiptar në lumin Ibër në Mitrovicë.

Në lidhje me këto hetime, Prokuroria ka njoftuar se më 6 korrik 2017 është realizuar një operacion gjatë të cilit janë kryer arrestime dhe bastisje.

“ Tre nga të pandehurit janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim, ndërsa i pandehuri i katërt aktualisht është duke vuajtur dënime me burgim për vepra penale të mëparshme të vrasjes dhe të tjera”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

KALLXO.com kishte shkruar për këtë aksion nga policia e EULEX-it.

http://kallxo.com/eulex-flet-per-aksionin-e-sotem-te-policise/

KALLXO.com kishte shkruar edhe për kërkesën e prokurorit për caktim të paraburgimit ndaj të pandehurve Alban Dizdarit, Bajram Kiçmarit dhe Faik Shaqiri ndërsa Bedri Krasniqi aktualisht është duke vuajtur dënim në një rast tjetër.

http://kallxo.com/kerkohet-paraburgim-ndaj-te-dyshuarve-per-vrasje-te-zyrtareve-te-unmik-ut/

 

Po ashtu KALLXO.com në korrik, kishte siguruar  kërkesën e prokurorit italian Danilo Cacareli prej 41 faqe ku tregohej për rastin e vrasjes së rëndë dhe tentim vrasjes së rëndë ndaj katër zyrtarëve të UNMIK-ut.

Në këtë kërkesë sipas KALLXO.com, Prokuroi nuk ka përmend se kush ishin urdhërdhënësit politikë të grupit e trazirave të marsit, por pretendon se ka fakte se udhëheqësit ishin ish eprorë të UÇK-së dhe njerëz me poste politike në atëkohë.

Sipas prokurorit, grupi përbehet prej shtatë apo tetë personash në mesin e tyre janë Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri.

“Më 23 mars 2014 pjesëtarët e grupit ishin në fshatin Shtedime të Podujevës ku Agron Sylejmani (tani i ndjerë) bëri planin për të zënë në pritë një veturë të UNMIK-ut”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Sipas prokurorit, sulmi ndaj veturës së UNMIK-ut kishte ndodhur rreth orës 21:45 nga një veturë e tipit Suzuki.

“Dy nga kryesit kishin dalë nga vetura Suzuki disa metra larg rrugë katër të tjerët e rrethuan veturën, njëri nga kryesit i bërtiti në drejtim të veturë për të ndaluar së pari në serbisht e më pas edhe në shqip”, thuhet në dokument.

Në dosjen e tij, thuhet se 106 fishekë ishin shkrepur në makinën e UNMIK-ut, ky disa nga ta e kishin goditur për vdekje policin e UNMIK-ut, Possible Kojo Essuman dhe Arsim Rrustollin, pjesëtar i Policisë së Kosovës. Gjatë kësaj përleshje kishte humbur jetë Agron Sylejmani ndaj të cilit kishin shtënë me armë njëri nga policët.