Ilustrim

Dorëzohen 61 dosje me 100 dëshmi për krime lufte në Prokurorinë Speciale

Një grup i shoqërisë civile i cili merret me grumbullimin e dëshmive për krime lufte dhe përgatitjen e kallëzimeve penale kundër pjesëtarëve të forcavre të armatosura serbe për krime gjatë luftës së viteve 1998/99, për herë të shtatë kanë dorëzuar kallëzime penale në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Shkendije Hoda, udhëheqëse e këtij grupi, tha se me pranimin e këtyre kallëzimeve penale është një shenjë se shteti po mundohet t’i zbardhë rastet.

“Është kontingjenti i 7-të që ne sot e dorëzojmë në Prokurorinë Speciale, Departamenti i Krimeve të Luftës. Janë diku 61 dosje me 100 dëshmi, ne po vazhdojmë ende të marrim dëshmi te qytetarët e Komunës së Gjakovës, gjë që po shohim se kemi përkrahjen e Prokurorisë dhe policisë për krime lufte. Në komunën e Gjakovës kanë filluar të marrin dëshmitarët në pyetje, kjo është një sukses pasi po shihet interesi i shtetit në këto çështje”, tha Hoda.

Ajo shtoi se kjo iniciativë e këtij grupi do të vazhdojë edhe në vitin tjetër.

“Ne do të vazhdojmë edhe vitin tjetër derisa ta adresojmë atë makabër që ka ndodh në komunën e Gjakovës. Apeloj edhe tek komunat  tjera le ta bëjnë këtë gjë. Historia duhet ta zbardhë të vërtetën atë çfarë ka ndodh në Kosovë”, tha Hoda.

I njëjti grup i shoqërisë civile, në qershor të këtij viti kishte dorëzuar në prokurori rreth 150 dosje tjera për krime të luftës.

https://kallxo.com/kallezimet-penale-per-krime-lufte-dorezohen-ne-prokurori/