Ish-Sekretarja amerikane për Siguri Kombëtare, Kirstjen Nielsen.

Dorëhiqet Sekretarja amerikane për Siguri Kombëtare, Kirstjen Nielsen

Sekretarja amerikane për Siguri Kombëtare, Kirstjen Nielsen, e cila ka zbatuar disa politika kontraverse kufitare të presidentit amerikan, Donald Trump, ka njoftuar për dorëheqjen e saj nga kjo pozitë.

Nielsen e ka cilësuar punën në këtë department “nder jetësor”.

Presidenti Trump ka njoftuar përmes një postimi në Twitter se në këtë pozitë do të emërohet përkohësisht Komisionari për Dogana dhe Mbrojtje Kufitare, Kevin McAleenan.

Nielsen ka qenë përgjegjëse për zbatimin e propozimit për mur kufitar me Meksikën si dhe për ndarjen e familjeve të migrantëve.

Ajo nuk ka dhënë arsye për largimin e saj në letrën e dorëheqjes, ndonëse ka konsideruar se “është koha e duhur për t’u larguar”.

Përveç kësaj, ajo ka vlerësuar se Shtetet e Bashkuara “janë më të sigurta sot sesa kur jam bashkuar administratës”.

Njoftimi për largimin e saj ka ardhur disa ditë pasi presidenti amerikan ka realizuar një vizitë në kufirin jugor.