Dokumentet e Mbikëqyrjes së Gazetarit të Vrarë ‘u Shkatërruan’

 

Ratko Ljubojeviç, një ish-anëtar i ekipit mbikëqyrës të Sigurimit të Shtetit në Serbi, tha në gjykatën në Beograd ditën e martë se urdhri për të shkatërruar raportet që ai dhe njësia e tij përpiluan mbi gazetarin dhe redaktorin Curuvija erdhi më 5 tetor 2000 – ditën që Millosheviçi u rrëzua nga pushteti në një kryengritje.

“Të gjitha blloqet e shënimit u shkatërruan më 5 tetor. Morëm urdhër t’i mblidhnim ato, t’i vendosnim në çanta dhe t’i largonim që aty. Besoj se ato u çuan në termocentralin Obrenovac dhe u dogjën,” tha Ljubojeviç.

I pyetur nga një gjyqtar se kush e urdhëroi shkatërrimin e tyre, Ljubojeviç tha se urdhri erdhi “nga selia”, por nuk dha ndonjë emër.

Prokuroria pretendon se vrasja e Curuvijës u organizua nga katër ish-oficerë të sigurimit të shtetit, Radomir Markoviç, Milan Radonjiç, Ratko Romiç dhe Miroslav Kurak.

Gazetari u qëllua për vdekje në Beograd në prill 1999 dhe dyshohet për shkak të kundërshtimit të tij ndaj regjimit të Millosheviçit.

Sipas aktakuzës, para se të vritej, Curuvija ishte nën mbikëqyrje nga sigurimi i shtetit.

Prokuroria pretendon se një ‘person i panjohur’ urdhëroi vrasjen dhe Markovic, i cili ishte kreu i sigurimit të shtetit në Serbi në atë kohë, urdhëroi vrasjen, ndërsa tri të pandehurit e tjerë morën pjesë në organizimin dhe ekzekutimin e vrasjes.

Ljubojeviç konfirmoi gjithashtu në gjykatë të martën se Curuvija ishte nën mbikëqyrje në pranverën e vitit 1999, edhe pse ajo u ndërpre në mënyrë të pakuptuar në një pikë.

Ai tha se ishte ndër oficerët që monitoronin vendndodhjen e Curuvijës, por në kohën e vrasjes, ai tha se e kishte pushim atë ditë.

“E mora vesh nga lajmet që Curuvija ishte vrarë,” tha Ljubojeviç në gjykatë.

Megjithatë, ai mohoi të jetë në dijeni të ndonjë nga vrasësve të Curuvijës apo të përfshirje së Sigurimit të Shtetit në vrasje.

Curuvija u qëllua 17 herë para ndërtesës ku ai jetonte në Beograd – një vrasje që familja e tij dhe ish-kolegët besojnë se ishte e motivuar nga qëndrimin e tij opozitar.

Të tre të dyshuarit e kanë deklaruar veten të pafajshëm, ndërsa Kurak është në arrati dhe po gjykohet në mungesë.

Markoviç aktualisht po kryen dënimin me 40 vjet burg për vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stambolic dhe krime të tjera, ndërsa Romiç dhe Radonjiç ditën e martë u liruan nga akuza për tentativë për vrasje të liderit të partisë opozitare Vuk Draskoviç në vitin 2000.

Disa ish-zyrtarë të lartë të sigurimit të shtetit kanë dëshmuar deri tani në gjyq. Pavarësisht dëshmive të tyre të ndryshme, pjesa më e madhe ranë dakord se Curuvija u vra pak minuta pasi ekipi mbikëqyrës u urdhërua të mos e ndiqte më atë.

Ata thanë se Curuvija ishte mbikëqyrur nga Sigurimi i Shtetit gjatë të gjithë vitit 1999, duke qenë se shihej si armik i regjimit të Millosheviçit.

Curuvija fillimisht ishte gazetar për shumë revista të njohura dhe gazeta të përditshme në Serbi dhe ish-Jugosllavi.

Në vitin 1994, pas marrjes nga ana e regjimit të gazetës Borba, ai dhe shumë pjesëtarë të tjerët të stafit vendosën ta linin punën atje.

Në vitin 1996, ai themeloi “Dnevni Telegraf”, gazetën e parë private në Serbi pas më shumë se 50 vjetësh. Në vitin 1998, Curuvija ishte drejtori, kryeredaktori dhe pronari i saj i vetëm. Në vitin 1998 ai nisi gjithashtu një revistë që dilte çdo dy javë dhe titullohej “Evropljanin”.