Ilustrimi: KALLXO.com

Dokument: Ministria e Qeverisë Haradinajt planifikoi të blejë produkte serbe dhe bakllava

Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale e cila drejtohet nga Skënder Reçica, ka kërkuar që të furnizohet me artikuj ushqimor sic janë me “Plazma”, “Eurokrem” e “Smoki”, ani pse qeveria aktuale ka vendosur taksë 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Në tenderin për Furnizim me artikuj ushqimor me numër të prokurimit UA/2016-18-9466-1-1-1të hapur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit, MPMS ka kërkuar të furnizohet me 316 kg “Eurokrem” ose ekuivalente, 141 copa keks “Plazma” ose ekuivalent nga 150 gram dhe 1 mijë e 530 copa “Smoki” nga  40 gr.

Përveç këtyre produkteve serbe kjo Ministri ka porositur edhe disa artikuj tjerë ushqimor me sasi të mëdha si dhe me firmë të specifikuar.

Peshk i ngrirë “Trofta” ose ekuivalent, 177.85 kg, pashtetë pule “Argeta” ose ekuivalente 95 gram 10 mijë e 830 copa, peshk i konservuar “Sardina” ose ekuivalentë 125 gram 10 mijë e 600 copa, djathë “ekuivalent” me feta i konservuar , paketimi 4 kg plastik ose ne konaqe 2 mijë e 574 kg, djathë copëza “ekuivalent” me zdenka të paketuara në kuti 140 gramësh, nga 8/1 copë dhe me përbërje të caktuar yndyre 4 mijë e 322 kuti, Jogurt maksimum 3.2 % yndyrë i paketuar në tas (gotë) plastike prej 180 gr, 36 mijë e 350 copa, “Fantë” për gjella 745 copa, fide “Divella” ose ekuivalentë 103 kg, keks “Petit Beure” ose ekuivalent 217 kg,makarona “Divella” ose ekuivalent 1 mijë e 640 kg, “Nes cafe”, kafe e përnjëhershme “ instant” , të paktën ekuivalent me “Nes cafe “, e paketuar në kanaqe prej 200 gr, 78 copa, “Pop Kek” ose ekuivalentë 1 mijë e 76 copa nga 0.45 gram, shpagetë “Divella” ose ekuivalente 613 kg, “Vegetë” ose ekuivalent 268 kg.

E në mënyrë që të ëmbëlsohet kjo ministri ka kërkuar edhe  1 mijë e 910 copa bakllavë dhe 5 mijë e 900 copa rollatë nga 600 gram.

KALLXO.com ka drejtuar pyetje në këtë ministri për të ditur se për çfarë nevoja janë porositur këto produkte por deri në publikimin e artikullit ministria nuk ka kthyer përgjigje.

Ndryshe, KALLXO.com ka shkruar për tenderin 23.5 milion të shpallur nga AQP-ja, për t’i furnizuar disa institucione të Kosovës me artikuj ushqimor.

Në tenderin, që është i ndarë në 9 llote dhe që pritet të kushtojë rreth 23.5 milionë euro, tek specifikat teknike ishin artikujt: “EuroKrem”, “Plazma”, “Vegetë”, “Pop-Kek”, apo pashtetën e pulës “Argeta” por që pas tyre shkruhet edhe ekuivalentë.

KALLXO.com, ka shkruar se kjo Agjenci pas reagimit publik është angazhuar për t’i larguar nga lista vetëm prodhimet serbe, siç janë: “Smoki”, “Plazma” dhe “Eurokrem”.

KALLXO.com, ka siguruar qasje në kërkesat e Autoriteteve Kontraktuese për furnizim në këtë tender.

Për institucionet e tjera të cilat kanë bërë kërkesë për furnizim mund të informoheni në këtë LINK.