(Dokument) Arsyet për Vendosjen e Masës së Përkohshme ndaj Qumështit nga Bosnja

Pas një hetimi të departamentit përkatës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë masa për mbrojtjen e prodhuesve vendorë të qumështit.

Sipas njoftimit të Ministrisë, kjo masë mbrojtëse është bërë duke u bazuar në kompetencat ligjore në pajtim me nenin 1 dhe paragrafin 1, të nenit 2, të Ligjit nr. 041/L-047 si dhe dispozitat përkatëse të Marrëveshjes së CEFTA-s.

“Vendimi ka ardhur pas një hetimi që është konstatuar se importi nga Bosnja dhe Hercegovina është rritur mbi masën 20 për qind dhe ka ndikuar në dëmtimin e produkteve vendore për faktin se importi i produkteve të qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina është me çmim të ulët i cili është nën koston e prodhimeve vendore të qumështit”, thuhet në njoftimin e MTI-së, shkruan KALLXO.com.

KALLXO.com ka siguruar vlerësimin paraprak të Ministrisë në të cilin thuhet se vlerësimi ofroi bazë të mjaftueshme për të përcaktuar se produktet që do të hetohen importohen në Republikën e Kosovës në sasi aq të mëdha dhe në ato kushte të cilat kërcënojnë t’u shkaktojnë dëm serioz prodhuesve të produkteve të qumështit në vend ose të shkaktojnë parregullsi që mund të përkeqësojnë gjendjen ekonomike të prodhuesve të qumështit dhe përpunuesve të produkteve të qumështit.

Në vlerësimin paraprak thuhet se importet e produkteve të përfshira në njoftimin për fillimin e hetimeve me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina janë përballur me një ritëm të përshpejtuar të rritjes në vitet e fundit. Vëllimi i importeve (litra) nga ajo origjinë në vitin 2017 ishte 36.3 për qind më i lartë se vëllimi i regjistruar në vitin 2015. Në vlerë të euros importet për vitin 2017 ishin 27 për qind më të larta se vlera e regjistruar në vitin 2015.

“Të dhënat e disponueshme për tremujorin e parë të vitit 2017 tregojnë se ka vazhduar tendenca e rritjes së importeve nga ky burim. Gjatë tremujorit të parë 2015  importet e këtyre produkteve tashmë përfaqësonin 32 për qind si në vëllim ashtu edhe në vlerë të importeve totale nga ajo origjinë gjatë vitit 2017. Importet nga Bosnja dhe Hercegovina e disa produkteve kryesore të qumështit po rriten me ritëm më të shpejtë sesa importet totale të produkteve të njëjta, duke treguar një rritje të pjesëmarrjes në treg. Në mungesë të masave pritet që të vazhdojë trendi në rritje i importeve nga Bosnja dhe Hercegovina”, thuhet në pikën e parë të vlerësimit,

Më tutje në pikën e dytë thuhet se ka tregues të fuqishëm për një rënie të përgjithshme të çmimit të importit për produkte të qumështit me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina.

“Boshllëku midis normës së rritjes së importeve në vëllim dhe importeve në EURO do ta tregonte qartë këtë tendencë. Gjithashtu analiza e çmimit mesatar që nga vitit 2015 e cila gjë ka vazhduar gjatë tremujorit të parë të vitit 2018. Çmimi mesatar i importit të produkteve të qumështit nga Nomenklatura e Kombinuar – Kodi Tarifor 0401 është reduktuar për rreth 7.5 për qind që nga viti 2015. Rënia e çmimeve të importit në disa nëntituj të produkteve të qumështit ka qenë më e theksuar”, thuhet në këtë pikë.

Njëkohësisht në këtë pikë thuhet se provat paraprake sugjerojnë se çmimi i eksportit të produkteve të qumështit me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina është dukshëm më i ulët se çmimet e produkteve të ngjashme me origjinë nga vendet e tjera.

Ndërkaq, në pikën e tretë thuhet se prodhuesit vendorë të qumështit dhe përpunuesit e qumështit janë prekur nga rritja e konkurrencës nga produktet e importuara të ngjashme.

“Prodhimi i qumështit në Kosovë është në rënie që nga viti 2013 duke qenë sot rreth 25 për qind më i ulët se prodhimi i arritur në vitin kulminant. Produktet e importuara të qumështit nën hetim përfaqësojnë aktualisht 20 për qind të furnizimit total në Kosovë”, thuhet në vlerësim.

Në pikën e tretë thuhet gjithashtu se konkurrenca nga importet i ka mbajtur çmimet e marra nga prodhuesit e qumështit dhe paraprakisht janë ngrirë në kushtet e tanishme gjatë viteve të fundit të cilat sillen prej 0.26 cent për litër në 0.32 cent për litër gjë e cila ndikon në të ardhurat dhe kushtet e tyre të jetesës.

Sipas këtij vlerësimi përpunuesit e qumështit janë prekur nga rritja e konkurrencës nga produktet e importuara të ngjashme në veçanti qumështi i paketuar i gatshëm për shitjet me pakicë tek konsumatorët final.

Nga ky vlerësim, Departamenti i Tregtisë ka dalë me rekomandim për zbatimin e masës së përkohshme mbrojtëse.

16 Prill 2018 - 17:07

Amire Qamili 16/04/2018 - 17:07
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend