Doku Fest KALLXO

‘Dokufest’, këtë edicion do shfaqen 260 filma

Organizatorët e festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër “Dokufest”, përmes një konference kanë zbuluar detajet në programin e edicionit të 17-të të këtij festivali.

Drejtori Artistik i festivalit, Veton Nurkollari tha se prej 2500 aplikimeve do të shfaqen 260 filma me 6 kategori garuese.

“Kemi përzgjedhur 260 filma prej afro 2500 aplikime që kemi pasur për festival në gjashtë kategori garuese. Kemi bashkëpunuar me institutin e filmave të Tajvanit me një program prej 20 filmave, ku edhe do të kemi mysafir nga ky shtet. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm i regjisorëve të huaj kanë konfirmuar pjesëmarrjen”, ka thënë Nurkollari.

Ai tha se një veçanti e këtij edicioni është edhe numri i madhe i filmave nga regjisore dhe producente gra dhe vajza.

“Festivali i filmit në Venecia ka marrë shumë kritika në lidhje me mungesën e regjisoreve femra, ndërsa ne rastësisht në DokuFest në këtë edicion i kemi 87 filma nga regjisore femra dhe 184 producente”, tha Nurkollari.

Drejtoresha e festivalit, Nita Deda, sa i përket programit të muzikës tha se do të ketë tri skena dhe se këtë vit do të këtë performancë edhe nga muzika tradicionale kosovare.

“Programi i muzikës shkrihet në tre skena, “Andrra” në Marash, te Kalaja dhe skena Lumbardhi i Prizrenit. Në skenën e Kalasë do të jetë një performancë nga çikat me defa për me shënu trashëgimin kulturore të Kosovës”, tha ajo.

Samir Karahoda, programer i filmave nacional dhe të shkurtër, tha se festivali këtij edicioni do të veçohet nga vitet tjera për shkak edhe të pjesëmarrjes se filmave shqip.

“Ajo që e karakterizon këtë vit DokuFest-in në dallim prej viteve të tjera është në katër gara që i kemi, do të jenë 2 filma që flasin shqip me regjisor Fisnik Maxhuni, në garën ndërkombëtare janë 13 filma, 12 konkurrues dhe 9 premiera kombëtare, po ashtu filma për fëmijë do të shfaqen çdo ditë”, tha Karahoda.

Eroll Bilbani, drejtor ekzekutiv i festivalit prezantoi programin e punëtorive dhe paneleve, i cili ftoi të gjithë ata që merren me industrinë e filmave që ta vizitojnë festivalin.

Edicioni i 17-të i “Dokufest” do të mbahet nga data 3 dhe do të zgjas deri me 11 gusht.