Doktori tregon gjendjen e Ambasadores së Turqisë pas aksidentit

Një aksident në rrugën Prishinë-Gjilan la tre të vdekur dhe disa të lënduar, përfshirë Ambasadoren e Turqisë në Kosovë Kivilcim Kiliç

Në aksidentin i cili ka ndodhur rreth orës 17:00 në fshatin Mramor, është përfshirë edhe eskorta e Ambasadores turke.

Doktori kujdestar në Qendrën Klinike Universitare, Avdush Bajgora që i ra të trajtojë me emergjencë ambasadoren, për KALLXO.com foli për gjendjen e saj.

Sipas doktorit, Kiliç u pranua e vetëdijshme në spital ndërsa pati lëndime serioze në brinjë.

“Kam qenë kujdestar kur e kam pranuar. Ka qenë në gjendje të vetëdijshme, komunikative, kam komunikuar me të. Ja kam bërë analizat , CT të trupit e kokës… Është vërejtur që ka frakturë të klavikulës. Ka pasur nja tri brinjë të thyera, janë shkaktuar kontuzionet hemorragjike në mushkëri. Gjendja e saj ka qenë serioze por jashtë rrezikut për jetë”, tha Bajgora.

Ai tha se nuk e di se ku do të vazhdojë mjekimin tutje ambasadorja por sipas tij do duhej që edhe pak kjo paciente të qëndrojë në mjekim intensiv.

“Me siguri, sipas të gjitha gjasave do të vendoset në mjekim intensiv”, tha Bajgora.

Pas këtij aksidenti, Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli vizitoi ambasadoren në QKUK.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me aksidentin dhe vdekjen e tre viktimave.

https://kallxo.com/vdes-edhe-personi-i-trete-nga-aksidenti-me-fatalitet-ne-marmor/