Ilustrim: Foto: Atdhe Mulla

Doganierët kundër ligjit të pagave

Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës ka reaguar ndaj iniciativës për kategorizimin e oficerëve doganor në staf civil, duke vlerësuar se jo të gjithë të punësuarit mund të kenë detyra dhe përgjegjësi të njëjta dhe unifikim të përshkrimeve të vendit të punës.

Tutje është paralajmëruar se nëse situata në raport me Doganën nuk ndryshon, atëherë sindikata do të marrë të gjitha veprimet sindikale konform ligjeve, për ta mbrojtur interesin dhe mirëqenien e organizatës.

Përmes një njoftimi për media, kjo sindikatë vlerëson se kategorizimi i punonjësve të Doganës së Kosovës si shërbyes civil, ndryshimi i statusit të zyrtarëve doganor, organizimit të Doganës së Kosovës do të ketë efekt të drejtpërdrejtë në rolin dhe misionin kompleks të Doganës në fushën e sigurisë kufitare por edhe në mbledhjen e të hyrave, ku Dogana dhe punonjësit e saj që nga themelimi vlerësohen lartë në përmbushjen e këtij misioni dhe objektivave të shtetit.

“Duke pasur parasysh faktin që klasifikimi i paraqitur për pozitat doganore ne aneks nuk përshtatet me statusin, përgjegjësitë, kompleksitetin, rrethanat dhe kushtet në të cilat punojnë zyrtarët doganor, të cilët janë dëmtuar në paga sipas draft propozimit te fundit nga grupi punues”, bëhet e ditur ndër të tjera në komunikatë.

Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës ka kërkuar nga Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar (sponzorues i këtyre draft ligjeve) nga grupi punues, të ketë parasysh propozimet e tyre si vijon: klasifikimi/rangimi i koeficienteve të ketë pasur  parasysh statusin e veçantë të zyrtarëve doganor, kompleksitetin e punës së tyre, natyrën e punës në Doganë, kërkesat e punës për t’iu përgjigjur nevojave të shërbimit për punë në çdo kohë dhe në çdo kënd të territorit të vendit; të ruhen dhe avancohet pagat e zyrtarëve doganorë duke u bazuar në statusin, specifikat doganore profesionalizmin, nivelet e organizimit doganor dhe dallimet në paga në mes secilit nivel; dhe të mos finalizohet pa i pasur parasysh vërejtjet, komentet dhe propozimet dhe pa i integruar ato në të.