Dogana e Kosovës - Foto: Rtv21

Dogana planifikon të shpenzojë gjysmë milionë euro në automjete

Dogana e Kosovës ka planifikuar t’i shpenzojë 500 mijë euro në vitin e ardhshëm për blerjen e automjeteve për nevoja të institucionit.

Sipas draftbuxhetit për vitin 2019, 150 mijë euro Dogana e Kosovës do t’i shpenzojë për blerjen automjeteve të reja të blinduara.

Ndërsa 350 mijë euro tjerë do të shpenzohen për blerjen e automjeteve për njësitin e Departamentit të Zbatimit të Ligjit në kuadër të Doganës së Kosovës.

Në total, buxheti i doganës së Kosovës për vitin e ardhshëm pritet të jetë 11 milionë e 731 mijë e 830 euro.

Në 2020 është paraparë të ketë një rritje të vogël, ndërsa 2021 është paraparë që buxheti i Doganës të zvogëlohet për rreth 300 mijë euro më pak se i 2019.

Buxheti i përgjithshëm i vendit i paraparë për vitin 2019 pritet të jetë 2.365 miliardë euro që paraqet një rritje prej 12% në krahasim me buxhetin e 2018-tës.