Foto: HIB Petrol/Facebook

Dogana ndalon 21 cisterna të HIB Petrol për analizë

Dogana e Kosovës ka ndaluar 21 cisterna me derivate të kompanisë HIB Petrol për t’u bërë analizë.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, e ka konfirmuar këtë lajm për KALLXO.com, duke thënë që brenda dy ditëve pritet të dalin rezultatet dhe të merret vendimi nëse nafta mund të hyjë në Kosovë ose të kthehet në vendin e origjinës.

“Po, janë ndaluar 21 cisterna për analizë dhe rezultatet pritet të dalin për 1 ose 2 ditë”, tha Stavileci.

Ndalimin e cisternave të HIB Petrol në terminalin në Ferizaj e ka konfirmuar edhe përfaqësuesi i kësaj kompanie, Hysen Lajçi, i cili i ka thënë KALLXO.com se ndalimi është bërë dje.

“Nuk janë ndaluar qe tri ditë, por dogana i ka ndal prej ditës së djeshme. Pritet mu ba analizat”, tha ai.

I pyetur nëse ndodh shpesh që dogana të ndalojë cisterna për analizë, ai ka thënë se kjo nuk ndodh zakonshëm.

“Nuk ndodh shumë zakonshëm”, ka thënë ai.

Lajçi ka shtuar se nafta ishte importuar nga kompani “EuroPetrol” nga Shqipëria nga e cila, siç tha ai, furnizohet HIB Petrol.

Javën e kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë Kujtim Bucaliun dhe HIB Petrol shpk në akuzën për mashtrim të Komunës së Prishtinës me naftë jocilësore.

Në një reagim, HIB Petrol tha se është shokuar nga ky aktgjykim.