Foto: Ilustrim

Dogana kap 48.000 copë cigare të kontrabanduara

Njësitë e Doganës së Kosovës gjatë këtyre ditëve kanë konfiskuar në disa raste të ndara sasi të konsiderueshme të duhanit.

Sipas një njoftimi të Doganës, gjatë operacioneve në pjesë të ndryshme të Kosovës janë konfiskuar 48.000 copë cigare.

Fillimisht, në aksin rrugor Lipjan –Magurë është ndaluar një automjet me targa të Kosovës ku pas kontrollit rezultoi me sasi të konsiderueshme të duhanit pa banderola, të cilat ishin të kontrabanduara.

Derisa në një aksion në qytetin e Pejës si dhe në atë të Istogut për zbulim të cigareve pa banderola janë gjetur cigare pa banderola RKS, të cilat edhe janë konfiskuar.

Kurse, në një aksion në Prishtinë janë kapur sasi e konsiderueshme e duhanit pa banderola në disa lokacione.

Në total sasia e konfiskuar arrin në 48.000 copë cigare derisa ndaj personave janë duke u iniciuar procedurat kundërvajtësve.

Dogana u bën thirrje qytetarëve që të lajmërojnë rastet e duhanit pa banderola pasi përveç dëmit financiar që shkaktojnë në buxhetin shtetëror analizat kanë treguar që duhani pa banderola nuk është nga prodhues originalë dhe është i falsifikuar derisa në përmbajtjen e tij jo gjithmonë ka duhan.