Bastisen 30 lokacione nëpër Kosovë për krim të organizuar e kontrabandë

Një aksion i doganës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka filluar sot orët e hershme të mëngjesit.

KALLXO.com ka kontaktuar me Zëdhënësin e Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci i cili tha se kanë filluar një operacion ku do të kontrollohen 30 lokacione në pronësi të 17 personave të dyshuar për kontrabandë.

“Në kuadër të përpjekjeve për luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës, Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka ndërmarrë një operacion kontrolli në 30 lokacione të ndryshme në pronësi të 17 personave te dyshuar për kontrabandë. Operacioni është shtrirë në regjionin e Prishtinës, Prizrenit, Mitrovicës, Gjakovës dhe Ferizajt”, tha Stavileci për KALLXO.com.

Ai shtoi se nga raportet e para që kanë marrë nga vendet e ngjarjes, zyrtarët doganor dhe ata policor kanë hasur në mallra të kontrabanduara.

“Në përfundim të operacionit, do të bëjmë me dije për opinionin publik te dhënat e detajuara te rezultatit”, tha ai.

KALLXO.com raportoi më herët se një operacion i Njësive Speciale po ndodhte në rajonin e Prizrenit.

https://kallxo.com/aksion-i-specialeve-ne-prizren/