DnV

DnV Vlerëson të Qetë Fushatën për Balotazh

Rrjeti i organizatave që përbëjnë “Demokracinë në Veprim” konstatoi sot në një konferencë për gazetarë se fushata për balotazhin e nesërm ishte e qetë, pa incidente dhe e zhvilluar në rrethana normale.

DnV-ja monitoroi 166 aktivitete të kësaj fushate, ndërsa konstatoi se subjektet politike u treguan të matura gjatë tyre, pasi monitorues të organizatave vërejtën përdorim të gjuhës së urrejtjes në vetëm një rast.

Por edhe kjo fushatë i shfaqi “sëmundjet e vjetra”.

Në 28 për qind të aktiviteteve të monitoruara nga DnV-ja, pati prezencë të fëmijëve, ndërsa në tetë raste kjo prani ishte e organizuar.

Sipas DnV-së, 444 fëmijë morën pjesë në fushatë.

Në fushatë u vërejt edhe prani e shërbyesve civilë dhe përdorim i resurseve publike në 18 raste.

Gratë morën pjesë nën 10 për qind në këtë fushatë, ndërsa si folëse u paraqitën në vetëm 12 për qind të rasteve.

Në aktivitetet e ndjekura nga DnV-ja folën 467 burra e vetëm 65 gra.

Përsëri nuk u sigurua qasje për personat me aftësi të kufizuara në 30 për qind të aktiviteteve të monitoruara.

DnV-ja u ankua edhe për anulimin e bexhave nga raundi i parë i zgjedhjeve nga ana e KQZ-së. Tha se disa vëzhgues të saj ende nuk janë pajisur me bexha.

DNV-ja do ta ndjekë balotazhin me 1800 vëzhgues afatshkurtër.

KALLXO.com raportoi edhe për konferenca tjera të “Demokracisë në Veprim”.

http://kallxo.com/dnv-resurset-publike-u-perdoren-ne-fushate/