Xhabir Zharku nuk shkon në vuajtje të dënimit

 

Për Xhabir Zharkun, ish-kryetar i Kaçanikut, e enjtja ishte dita e fundit kur ai mund të dorëzonte ndonjë kërkesë në Gjykatën Komunale në Kaçanik, për shtyrje të ekzekutimit të vendimit ndaj tij.

Dënimi ndaj tij me 3 vjet burgim e 1 500 euro gjobë është vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës, më 8 maj të këtij viti.

Kërkesën në Gjykatën Komunale në Kaçanik, Zharku e ka dorëzuar duke kërkuar shtyrje të ekzekutimit të vendimit.

Nëpërmjet një aktvendimi, Gjykata Komunale në Kaçanik e ka refuzuar kërkesën (lutjen) e Zharkut që ta shtyjë ekzekutimin e dënimit, pasi i dënuari në kërkesë ishte arsyetuar se i ka edhe disa çështje biznesore të pakryera.

Pas këtij vendimi të Gjykatës Komunale në Kaçanik, lënda është dërguar për vendosje në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Kjo Gjykatë, pritet të vendosë lidhur me lutjen e Zharkut dhe refuzimin e Gjykatës Komunale në Kaçanik.

Sipas nenit 23 të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, kryetari i Gjykatës së Qarkut do të ketë afat tri ditë pasi ta ketë marrë lëndën, për të vendosur nëse ekzekutimi i vendimit ndaj Zharkut do të shtyhet ose duhet të zbatohet menjëherë. 

Xhabir Zharku, nga viti 2007 deri në maj 2012 e ka qeverisur Komunën e Kaçanikut. Ai është dënuar me tri vjet burg për “detyrim” dhe “posedim të paligjshëm të armës”. Dënimi me burg prej tri vitesh atij i është vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme.

Zharku, së bashku me Arsim Kolshin, Besnik Hasanin dhe Nusret Cenën, si pjesë e një grupi, në kohë të ndryshme, prej ose më 26 qershor 2006, deri më 1 gusht 2006, me qëllim që të përfitojë për qëllime materiale për vete, ose për dikë tjetër, ka përdorur kërcënime serioze ndaj të dëmtuarve.

Ata i kanë kërcënuar me vrasje Shefket Lurin, Xhelil Sumën dhe Azem Sumën në rast se nuk do të tërhiqeshin nga tenderi i fituar nga Agjencia Kosove Privatizimit (AKP) në valën e 16-të për privatizimin e një ferme të deleve, në sipërfaqe prej 32 hektarësh, në fshatin Rakaj të Ferizajt.

Gjashtë muaj pas marrjes së vendimit, Zharku ende ndodhet në liri, derisa aktvendimi për ekzekutimin e vendimit pas kësaj kohe, nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës ka mbërritur në Gjykatën komunale të Kaçanikut.

Sipas procedurës, Gjykata Supreme duhej të informojë Gjykatën e Qarkut, gjë të cilën e ka bërë më 9 korrik, ndërsa kjo e fundit kërkon menjëherë nga Gjykata Komunale e Kaçanikut që të dërgojë në burg Zharkun.