Tenderi i Natës për Autostradën Prishtinë- Gjilan

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin ekskluziv për tenderin 100 milionësh për rrugën Prishtinë- Gjilan.

Në emision flasin personazhet kryesore që u përfshinë në këtë tender multi-milionësh dhe për kërcënimet që iu bënë shefit të Gjykatës së tenderëve.

Hulumtimi sjell rrëfimin e kryetarit të OShP-së Blerim Dina për kërcënimet që iu bënë dhe a qëndron ai prapa deklaratës së tij dhënë organeve të hetuesisë.

Në intervistë ekskluzive flet Sami Lushtaku, kryetari i Skenderajt, lidhur me përfoljen e emrit të tij në kërcënimin që iu bë shefit të OShP-së.

Hulumtimi i sotëm tregon për shkeljet ligjore që u bënë nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës në këtë tender gjigand. Detajet tjera të hulumtimit tregojnë se nënshkrimi i një kontrate të tillë do t’i sillte dëme buxhetit të shtetit hiç më pak se 33 milionë euro.

Poashtu emisioni i sotëm sjell edhe deklaratën e ish-ministrit të Infrastrukturës nga LDK, Hanefi Muharremi, i cili ka treguar se në ditën e fundit të mandatit të tij komisioni kishte përfunduar punën me këtë tender.

Pjesë e emisionit të sontëm është edhe intervista me ministrin aktual Pal Lekaj, i cili tregon se si janë nënshkruar raportet nga komisioni i ministrisë në orët e vona të natës, vetëm pak orë para se ai ta merrte zyrtarisht detyrën.

Hulumtimi sjell edhe detajet tjera nga seanca e OShP-së dhe për pretendimet e operatorëve ekonomik që u diskriminuan nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës.

Në fund të emisionit do transmetohet rubrika e rregullt “Policia”, ku do mund të ndiqni pamje ekskluzive nga aksionet e njësiteve të Policisë së Kosovës në luftën kundër krimit.