Negociatat për ankandin; vëllai i deputetit kërkon 33% të biznesit

Në edicionin e së premtes, emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetoi filmime ekskluzive nga takimet ku Hasan Beqa, vëllai i deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa, diskuton me pronarin e një biznesi nga Gjakova kërkesën që atij t’i dorëzohen 33% e aksioneve të një kompanie për të garantuar marrjen e një ankandi në Gjakovë.

Hajdar Podrimja rrëfeu në emision se vëllai i Hajdar Beqës i ka kërkuar 33 % të aksioneve të kompanisë për t’i hapur rrugë nënshkrimit të një kontrate në komunë.

Filmimet nga takimet ku janë diskutuar këto kërkesa do transmetohen të premten në “Drejtësia në Kosovë”.

Pjesë e filmimeve janë edhe momentet kur Hasan Beqa pretendon se e telefonon të vëllain Hajdar Beqën dhe diskutojnë për ngjarjen. Në rrëfimin e tij Hajdar Podrimja ka treguar se kërkesa i kishte ardhur pasi PDK ka nisur të udhëheqë me drejtorinë e Shërbimeve Publike në Gjakovë. Kërkesa për t’i ndarë aksionet lidhet me ankandin për riciklimin e mbeturinave në Gjakovë një investim që sipas Hajdar Podrimajt kalon shumat e 1 milion eurove.