‘Dreka e Gabuar’ e Prokurorit me të Akuzuarin

Në edicionin e fundit, emisioni “Drejtësia në Kosovë” solli reportazhin hulumtues për takimet sekrete në mes prokurorit të Ferizajt Visar Musa me të akuzuarin Raif Rama.

Emisioni solli dëshmi se si prokurori i cili po hetonte tre vëllezërit Rama është ulur dhe ka drekuar me njërin  nga vëllezërit. Në takimin i cili është mbajtur në njërin nga restorantet e Ferizajt ka qenë i pranishëm edhe gjykatësi Adem Shabani, përgjegjës i degës së gjykatës së Shtërpcës.

Në intervistë për “Drejtësia në Kosovë”, pala e dëmtuar në këtë rast, Afrim Matoshi, ka paraqitur dyshime serioze për ndikime të mundshme në rastin e tij pas  drekës së prokurorit me të akuzuarin.

Prokurori i Rastit Visar Musa në intervistë për “Drejtësia në Kosovë” ka mohuar se ishte në dijeni se po takohej me të akuzuarin por ka sqaruar se takimi ishte iniciuar nga gjykatësi Shabani i cili ka miqësi me të akuzuarin Rama.