Djali i xhaxhait të Ferid Aganit është arrestuar nga krimet ekonomike

Pak orë më parë, KALLXO.com ka raportuar për arrestimin e dy personave, një gruaje dhe një burri, pasi që të njëjtit dyshohen se me dokumente të personave të tjerë kishin hapur një poliklinikë.

KALLXO.com mëson se djali i xhaxhait të Ferid Aganit, ky i fundit ish – ministër i Shëndetësisë, është njëri nga të arrestuarit e ditës së sotme.

Burime të KALLXO.com, brenda Prokurorisë kanë thënë se Armend Agani, kushëriri i Ferid Aganit, është arrestuar gjatë ditës së sotme së bashku me Ljiljana Smiliq, në lidhje me hapjen e një poliklinike me dokumentacion të dikujt tjetër.

Të dy dyshohen se kanë kryer veprat penale – falsifikim i dokumentit zyrtar, rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve, mashtrim dhe legalizim i përmbajtjes së rreme.

Agani dhe Smiliq në ARBK kanë të regjistruar poliklinikën si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara, në maj të vitit 2017.

KALLXO.com merr vesh se poliklinika “BEL MEDIC INTERNATIONAL D.O.O.” është në emër të Ljiljana Smiliq ndërsa edhe katër të tjerë kanë përqindje në këtë poliklinikë. Njëri nga ta është edhe djali i axhës së Ferid Aganit, Armend Agani, i cili ka 30% të aksioneve të kësaj poliklinike.

Gjithashtu në ARBK thuhet se poliklinika gjendet në Graçanicë.

KALLXO.com ka tentuar të marr edhe një qëndrim nga ana e ish-ministrit të Shëndetësisë Ferid Agani por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Sipas ARBK-së, kjo poliklinikë ofron këto aktivitete: Aktivitetet e mjekësisë së praktikës së përgjithshme, aktivitetet e mjekësisë së specializuar, publikimi i revistave dhe periodikëve, aktivitetet e dentistëve, aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, transporti ajror i pasagjerëve, aktivitetet shërbyese të rastit për transportin tokësor, aktivitetet e përkujdesjes infermierike në shtëpi, tregtia me pakice e artikujve farmaceutikë në dyqane të specializuara (barnatore), tregti tjetër me pakicë në dyqane jo të specializuara

Po ashtu aktivitetet e tjera shërbyese të ushqimit, aktivitetet shërbyese të pijeve, transporti tjetër rrugor i pasagjerëve, aktivitetet e spitaleve, akomodime të tjera, rregullimi i aktiviteteve të subjekteve, që ofrojnë shërbime shëndetësore, shërbime arsimore dhe kulturore, si dhe shërbime të tjera sociale, përjashtuar sigurimin social.

10 Prill 2019 - 21:43

Adelina Ahmeti 10/04/2019 - 21:43
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend