Andin Hoti: Foto: Facebok

Djali i Ukshin Hotit kërkon nga shteti të interesohet për fatin e babait të tij

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, Andin Hoti, njëherësh djali i veprimtarit Ukshin Hoti, kërkoi nga përfaqësuesit e institucioneve që të interesohen nga shteti i Serbisë për fatin e babait të tij i cili që nga viti 1999 është zhdukur derisa po largohej nga burgu i Dubravës.

“ Kosova ka fakte dhe dëshmi për krimin që ka bërë Ushtria serbe dhe pse mos t’i përdorim ato. Serbia ka regjistra dhe statistika për çdo banor të Kosovës, të cilat duhet t’i kërkohen nga drejtori i atëhershëm i Dubravës dhe nga gardianët se ku e kanë çuar babanë tim Ukshin Hoti të dielën me 16 maj 1999 kur e kanë improvizuar gjoja lirimin e tij. Shteti ynë duhet ta bëjë këtë dhe jam i bindur se është e mundshme”, tha Hoti.

Ai gjatë fjalimit të tij në seancën e Kuvendit tha se normalizimi me Serbinë nuk mund të ndodhë derisa ky shtet nuk tregon vullnet për të trajtuar çështjen e personave të pagjetur të Kosovës.

“Qytetarët tanë ka vite që dëgjojnë me dhjetëra herë në ditë deklarata politike për paqe me Serbinë, për normalizimin e raporteve. Po si është e mundur normalizimi i raporteve dhe si mund të arrihet një paqe për brezat e ardhshëm kur njëra palë nuk tregon as vullnetin minimal as për çështjet tërësisht humanitare. Pra nëse në dialogun me Serbinë nuk adresohet fare fati i këtyre personave dhe ajo  nuk përgjigjet, unë kam frikë që po mashtrohemi me idenë e normalizimit”, tha Hoti.

Hoti tha se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë presion te bashkësia ndërkombëtare dhe Serbia në dialogun Prishtinë- Beograd.