DJ në Zvicër e Angli, Avokat në Kosovë

Me nostalgjinë e kohës kur ka punuar si DJ në vendet perëndimore ai sot ushtron profesionin e avokatit në Kosovë duke vazhduar koleksionimin e muzikës me pajisje relikte siç është pllakat dhe gramafoni.

Në shtëpinë e avokatit Afrim Salihu nga Gjilani ka numër të barabartë të librave që lidhen me drejtësinë dhe pllakave muzikore të bendeve të ndryshme botërore dhe vendore.

Salihu rrëfen për KALLXO.com se si i lindi pasioni dhe si e kultivoi shijen për muzikë në fillim të viteve 90-ta ku kishte udhëtuar për në Zvicër për të punuar pastaj si DJ në Zvicër dhe Angli.

“Unë kam qenë DJ dhe DJ i mirë. Kam bërë muzikë në Cyrih, në vende të ndryshme, në Tiqino por një kohë kam jetuar edhe në Londër ku edhe atje kam bërë muzikë. Zakonisht ka pasur ndeja ku ka pasur mysafirë mbi 1000 veta. Fillimisht jam marrë me muzikë POP, POP Rock, Rock, Hard Rock… pastaj kalova në muzikë elektronike sepse viteve të 90-ta ishte në trend muzika House”, tregon Salihu për KALLXO.com.

Megjithëse i pëlqente të merrej me muzikë, shija e Salihut nuk përkoi me atë të moshatarëve të tij pas kthimit në Kosovë në fund të viteve 90-ta.

Pas këtyre viteve, ai vendosi të ndiqte një rrugë tjetër në karrierë për ç’arsye edhe filloi studimet në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.

Të dy këto veprimtari ai thotë se i ka të pandashme dhe i kryen me po të njëjtin pasion.

“Muzikën e dua sepse muzika më relakson, drejtësinë e dua sepse jam i  drejtë. Muzika është rehatia shpirtërore pas një mundi jashtëzakonisht të stërngarkuar nëpër gjykatat vendore sepse ne kemi konteste të ndryshme administrative, civile dhe penale që janë paksa më të ndjeshme”, tha Salihu.

Muzika madje ishte edhe shkas për njoftimin e çiftit Salihu që tani kanë tre fëmijë së bashku. Bashkëshortja e Afrimit, Linda Klaiqi Salihu thotë se dashuria për muzikën është familjare dhe për këtë arsye arsyetohet edhe rrëmuja që e shkaktojnë pllakat e shumta.

“Edhe unë e dua muzikën shumë, ka dashur fati të na pëlqejë të dyve por edhe fëmijëve , edhe ata e kanë trashëguar dhe e dojnë shumë [muzikën] kështu që nuk më pengon asnjëherë”, tha Klaiqi-Salihu.

KALLXO.com ka raportuar edhe nga seancat gjyqësore ku avokat ishte Afrim Salihu.

http://kallxo.com/dalin-para-gjykates-ushtaret-e-lavdrim-muhaxherit/