Diskutim mbi rolin e grave në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik

Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Mexhide Mjaku-Topalli, ka thënë se grupi që ajo udhëheq ka vendosur objektiva konkrete për fuqizimin e grave ndërmarrëse duke përmendur projektin Gratë në Biznes i cili tashmë është në plan të punës.

Mjaku Topalli tregoi se janë duke e monitoruar ligjin për barazi gjinore në mënyrë që të sigurohet zbatimi i kuotave gjinore për përfshirjen e grave në ndërmarrje publike.

“Grupi i Deputeve Gra do të vazhdojë angazhimin në rritjen e pjesëmarrjes së grave në pozita ndërmarrëse si dhe në barazinë e tyre në shoqëri përmes legjislacionit”, tha ajo.

Këtë deklaratë deputetja e bëri gjatë një tryezë diskutimi ndërmjet Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe grave udhëheqëse, anëtare të Odës Amerikane.

Drejtoresha Ekzekutive e Agjencionit për Zhvillim Rajonal dhe njëherit Anëtare e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Mrika Macula, tha se fuqizimi i grave është kyç në arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik duke trajtuar gratë në mënyrë të barabartë me burrat.

Ajo kërkoi nga grupi i grave deputete që të vazhdohet ndërtimi i hapave konkret në krijimin e lehtësirave për përfshirje më të madhe të grave në pozita vendimmarrëse dhe ofrimin e mundësive për avancim, duke shtuar se zbatimi i ligjeve aktuale për trajtim të barabartë të grave lë ende shumë për të dëshiruar.

Zyrtarja e Lartë për Çështje Ekonomike dhe Komerciale në Ambasadën Amerikane, Lori Michaelson, tha se diversifikimi i tregut të Kosovës është i nevojshëm për të pasur stabilitet në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Takimet e tilla mes përfaqësueseve të institucioneve dhe grave nga sektori i bizneseve mundësojnë adresim të drejtpërdrejt të sfidave dhe çështjeve të cilat ndikojnë në arritjen e mundësive për zhvillim”, tha ajo.