Diskriminimi i Personave Tetraplegjikë dhe Paraplegjikë

Faruk Kukaj është tetraplegjik, person me aftësi të kufizuara, me paralizë të duarve dhe këmbëve.

Gjatë gjithë jetës ai ka jetuar me prindërit.

Kohë më parë atij i ka vdekur babai dhe ka mbetur vetëm me nënën e tij të moshuar.

Ashtu si edhe shokët e tij, Faruku është i pakënaqur me Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017, pasi që thotë se aty nuk janë përfshirë mjetet e nevojshme financiare për ta.

 “Me anë të disa miqve e familjarëve më është siguruar një kujdestar. Ne vetë e bëjmë pagesën por ajo nuk është e qëndrueshme, afatgjatë, por vetëm është vullneti i miqve e familjarëve. Kur e kam marrë informatën se është miratuar Ligji jam gëzu pa masë se kam mendu që të paktën kjo nevojë e imja do të zgjidhet por ja tash ndodhi çka ndodhi dhe institucionet tona edhe këtë çështje e kanë lënë anash. Më të vërtetë tash qëndron çështja çka më tutje, çka do të ndodhë me mua”, thotë Faruku.

Ndërsa, Afrim Maliqi, drejtor i shoqatës “Handikos”, tha se grupi paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve është grupi më i diskriminuar në mesin e personave me aftësi të kufizuara.

“Që shqetësimi të jetë edhe më i madh, këta persona nuk marrin asnjë shërbim institucional, as pajisje ndihmëse, as medikamente e as rehabilitim përpos një kompensimi financiar – të cilën nuk e marrin të gjithë, i cili është 75 euro e në të cilin grup i marrin si të paaftë për punë e jo duke u bazuar në nevojat e tyre”, tha Maliqi.

Maliqi shton se të gjitha këto po i thotë duke iu referuar nenit 25 të Ligjit për statusin e të drejtave të personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

“I cili përcakton në mënyrë decidive që Ligji do të fillojë së zbatuari nga 1 janari 2017, ndërsa ne në publikimin e projektbuxhetit për vitin 2017 nga Ministria e Financave dhe aprovimi i saj nga Qeveria kemi vërejtur që në këtë buxhet nuk është i përfshirë statusi dhe të drejtat e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë, përkatësisht nuk janë ndarë mjetet e nevojshme financiare që nënkuptohen si bazë për të filluar së zbatuari Ligji”, tha ai.

Afrim Maliqi tregon se shoqata “Handikos” ka drejtuar pakënaqësitë e veta në të gjitha institucionet përgjegjëse por nuk ka marrë asnjë përgjigje deri më tani.

Maliqi kërkoi me urgjencë që të ndahet buxheti i paraparë sipas Ligjit në të kundërtën do të marrin masa të tjera, duke përfshirë edhe protestat në rrugë.