Diplomati gjerman mbron Xhakën e Shaqirin

Ish-ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Ernst Reichel, ka reaguar pas lajmit se FIFA ka filluar hetimet rreth festimit të Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit pas golave të shënuar kundër Serbisë në Kupën e Botës “Rusia 2018”.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, ambasadori Reichel ka thënë se nuk mund ta kuptojë pse dikush mund të ofendohet nga dy lojtarët zviceranë që bënë shqiponjën shqiptare pas golave të tyre.

“Shqiponja dykrenare është simboli i flamurit shqiptar (dhe i disa flamujve të tjerë). Bërja e shenjës nuk është ndryshe nga shfaqja e flamurit. Dhe flamujt shfaqen në çdo lojë ndërkombëtare. Asgjë e keqe me të qenët krenar për vendin tënd ose origjinën tënde”, ka shkruar ish-ambasadori gjerman në Kosovë.

Diplomati Ernst Reichel aktualisht është ambasador i Gjermanisë në Ukrainë.

Ai ka reaguar pas njoftimit të bërë publik mbrëmë se FIFA ka hapur një hetim ndaj futbollistëve të kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri rreth festimeve të golave të së premtes në mbrëmje në fitoren e Zvicrës ndaj Serbisë në kuadër të kampionatit botëror në futboll.

https://kallxo.com/fifa-hap-hetimin-per-festimet-e-xhakes-dhe-shaqirit/

Të dy, Xhaka dhe Shaqiri, kanë prejardhje nga Kosova ndërsa golat e tyre i festuan duke bërë simbolin e flamurit shqiptar, shqiponjën me duar.

Zvicra e fitoi ndeshjen me rezultat 2:1.