Digjet vetura e pjesëtarit të FSK-së në Zubin Potok

Një veturë e një pjesëtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) nga Zubin Potoku është përfshirë nga flakët mbrëmë, në rrethana ende të pasqaruara.

Kohëve të fundit, pjesëtarët e FSK-së në pjesën veriore të Kosovës janë vënë nën presion si pasojë e trysnisë së liderëve lokalë dhe Beogradit për të mos qenë pjesë e kësaj force.

Lajmin për incidentin e mbrëmshëm e konfirmoi për KALLXO.com zëdhënësi i Ministrisë së FSK-së, Ibrahim Shala.

“Ende nuk jam njoftuar shumë me detaje por nga ajo çka mund të konfirmoj është se ka pasur sulme ndaj pasurisë së tyre”, tha Shala.

KALLXO.com merr vesh se këto sulme janë vazhdimësi e disa sulmeve të mëhershme që u janë bërë këtyre zyrtarëve me pretekstin për t’u larguar nga FSK-ja.

Sulmet e fundit kanë ndodhur me datën 25 dhe 27 të këtij muaji.

Natën e 25 majit, shtëpia e S.O. nga Zubin Potoku ishte sulmuar me dy molotovë. Përveç dëmeve materiale, nuk ka pasur lëndime në njerëz.

Më 27 maj, shtëpia e pjesëtarit tjetër të FSK-së me inicialet J.J. ishte sulmuar me molotov. Përderisa shtëpia ka shpëtuar pa dëmtime, vetura e tij ndaj të cilës ishte hedhur një shishe molotovi është djegur e tëra.

Pjesëtari i FSK-së e kishte lajmëruar rastin në Polici ndërsa zjarrfikësit kishin shkuar në vendin e ngjarjes dhe e kanë fikur zjarrin.

KALLXO.com ka raportuar për sulmet dhe kërcënimet e vazhdueshme me të cilat poi përballen pjesëtarët serbë të FSK-së në veri të Kosovës pas thirrjes së liderëve politikë serbë në Kosovë dhe Serbi që ata të largohen nga FSK.

http://kallxo.com/mesazhe-kercenuese-ndaj-pjesetareve-serbe-te-fsk-se-ne-zubin-potok/

http://kallxo.com/haradinaj-reagon-per-ushtarin-serb-te-fsk-se-te-arrestuar-ne-serbi/

http://kallxo.com/vuciq-serbet-te-mos-perfshihen-ne-krijimin-e-forcave-te-armatosura/