Kompleksi Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan - Foto: Komuna e Gjilanit

Digjen Kurorat e Luleve në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan

Para disa ditësh janë djegur kurorat e luleve në varrezat e dëshmorëve në Gjilan.

Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka reaguar përmes një komunikate për media, duke e dënuar djegien e kurorave dhe duke e cilësuar këtë akt si qyqar.

“Akti i djegies së kurorave të luleve te varrezat e dëshmorëve është qyqar, i papranueshëm dhe si të tillë e dënoj ashpër. Kërkoj nga organet e drejtësisë që sa më shpejt ta zbardhin këtë akt të shëmtuar dhe autorët ta marrin dënimin meritor”, ka thënë Haziri.

Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Rasti ka ndodhur para disa ditëve, ku një ankues ka lajmëruar se në varrezat e dëshmorëve është duke u parë zjarr. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes. Nga hetimet e para është parë se janë djegur disa kurora të përmendoreve të dëshmorëve. Nuk ka dëme. Prokurori i shtetit e ka cilësuar rastin si zjarrvënie”, tha Hashani për KALLXO.com

Ndërsa zëdhënësi i i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së në Gjilan, Shaqir Shaqiri, tha për KALLXO.com se e kanë dënuar këtë akt dhe vlerësojnë se e kanë bërë njerëzit, “të cilët nuk kanë kredibilitet, nuk kanë besueshmëri në popull, njerëz që janë qyqarë, sepse varrezat e dëshmorëve nuk janë vetëm të familjes së dëshmorëve por të të gjithë qytetit”.

Sipas tij, ky është një akt që duhet të troket në ndërgjegjen institucionale, që të caktojnë një person i cili kujdeset për këto varreza. Ai thotë se në Gjilan nuk kujdeset askush për këtë varrezë, përveç OVL-së kur kanë kohë.