Digjen kabllot e rrymës nga djegia e bërllokut në Fushë Kosovë

Kabllot e energjisë elektrike në lagjen 28 në Fushë Kosovë janë përfshirë nga një zjarr mbrëmë në mesnatë e që si rrjedhojë mijëra qytetarë kanë mbetur pa rrymë për afro një orë.

Zjarri, siç bënë të ditur KEDS, ka ndodhur si pasojë e djegies së bërllokut në afërsi, i cili dyshohet së ka qenë i qëllimshëm.

“Nga djegia e bërllokut janë djegur edhe kabllot e tensionit të ulët dhe atij të mesëm. Si rrjedhojë kanë mbetur pa energji elektrike për afro një orë mijëra qytetarë. Përkundër kohës pas mesnate, ekipet e KEDS-it kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë arritur ta sanojnë dëmin dhe konsumatorëve t’ua kthejnë energjinë elektrike rreth orës 1 e 50”, thuhet në njoftim.

Më tutje në komunikatë thuhet së flakët kanë rrezikuar edhe nënstacionin E nga djegia eventuale e nënstacionit do të rrezikoheshin të mbetnin pa energji elektrike për kohë të gjatë komplet lagjja.

KEDS ka thënë së kjo situatë është e papranueshme dhe ka apeluar tek qytetarët që të mos ndezin zjarre në asnjë rrethanë, pasi pasojat në asetet energjetike, sidomos kur afektohen ato të tensionit të mesëm, mund të jenë katastrofike, godasin furnizimin njëherësh të mijëra qytetarëve dhe riparimi i tyre kërkon kohë të gjatë.