Dibran Hoxha në Gjykatën e Prizrenit - Foto: KALLXO.com

Dibran Hoxha në Gjykatë: Nuk do ta përsëris veprën penale

I dyshuari për lëndim të rëndë trupor, Dibran Hoxha, premtoi në Gjykatën e Prizrenit se nuk do ta përsëris veprën penale.

Hoxha tha se nuk pajtohet me masën e kërkuar nga prokurorja Nazan Shero.

“Nuk pajtohem me masën e kërkuar të paraburgimit sepse kur me është ardhë ftesa nga Policia unë vullnetarisht jam dorëzuar në Polici. Me dashtë me ikë kam pasë kohë 3 ditë dhe unë nuk jam njeri që ik”, tha Hoxha në Gjykatën e Prizrenit ku nga Policia u soll i prangosur.

https://kallxo.com/video-dibran-hoxha-i-prangosur/

Prokurorja e rastit, Nazan Shero, kërkoi nga Gjykata të caktojë masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarit Dibran Hoxha.

Prokurorja tha se ekziston dyshimi i bazuar se Dibran Hoxha në bashkëpunim edhe me dy persona të tjerë, që tashmë veç gjenden në paraburgim, ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor.

https://kallxo.com/prokurorja-kerkon-30-dite-paraburgim-per-dibran-hoxhen/

Ndërsa, avokati i menaxherit të lokalit të natës “Kobra City”, Avni Berisha, e kundërshtoi kërkesën e prokurores, duke theksuar se nuk ekziston rreziku për përsëritjen e veprës penale dhe se dy familjet janë pajtuar mes vete dhe dje klienti i tij vetë është dorëzuar në Polici.

Kallxo.com raportoi dje për arrestimin e Dibran Hoxhës nën dyshimin për lëndim të rëndë trupor.

Hoxha ishte në arrati që nga dita e shtunë.