Dialogu Strategjik i nivelit të lartë lidhur me tregtinë e paligjshme në Evropën Juglindore

 

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj dhe Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, kanë marrë pjesë në konferencën me temë ‘’Dialogu Strategjik lidhur me tregtinë e paligjshme në Evropën Juglindore’’, e cila u mbajt në Sirakuza të Italisë, më 5 dhe 6 dhjetor.

Konferenca është organizuar nga Instituti Ndërkombëtar i Sirakuzës për Drejtësinë Penale dhe të Drejtat e Njeriut, me seli në Sirakuza të Italisë, me të cilin institucion Këshilli Prokurorial, ka të lidhur një marrëveshje bashkëpunimi lidhur me forcimin e kapaciteteve të prokurorëve në luftën kundër tregtisë së paligjshme.

Përmbajtja e diskutimeve në këtë konferencë u fokusua në temat si: “forcimi i luftës kundër tregtisë së paligjshme në Evropën Juglindore”, “tregtia e ndaluar si një kërcënim kompleks dhe shumëdisiplinar”, “perspektiva e aplikuesve të ligjit lidhur me tregtinë e paligjshme” si dhe sfidat, prioritetet dhe mundësitë në luftën kundër tregtisë së paligjshme.

Prezantues në këtë konferencë ishin ekspertë me përvojë ndërkombëtare në fushat penale, përfshirë bashkëpunimin ndërkombëtar në çështjet penale.

Në këtë konferencë morën pjesë edhe përfaqësues nga Policia e Kosovës, Akademia e Drejtësisë, Dogana e Kosovës dhe Akademia për Siguri Publike.