Foto: Kallxo.com

Detajet e sulmit me motoçikletë ndaj policëve në Mitrovicë

Fatmir Uka, i akuzuar nga prokuroria e Mitrovicës për sulm ndaj dy policëve ka dalë sot para gjykatës, por seanca ndaj tij nuk është mbajtur.

Ai akuzohet se me 9 shkurt 2019 në Mitrovicë të rrethrrotullimi ka sulmuar zyrtarët policorë B.B dhe F.V.

Sipas akuzës, policët kanë dashur ta ndalojnë në pikën kontorullese si drejtues të motoçikletës pa targa, së bashku me një bashkë-udhëtar tjetër, Ylber Ukën, i cili gjithashtu është i dyshuar në këtë rast.

Akuza thotë që i pandehuri në vend se ta ndalojë motoçikletën, vrullshëm është nisur në drejtim të policit F. V.

Sipas akuzës, polici ia kishte dalë të largohet duke shmangur goditjen e drejtpërdrejtë, por prapë ka pësuar lëndime të lehta.

Më pas i pandehuri ishte gjetur në fshatin Zhabar i Epërm, ndërsa sipas akuzës gjatë arrestimit ka rezistuar, me ç’rast ka lënduar policin Burim Bahtiri, i cili kishte pësuar gërvishtje në lëkurë në regjionin e kokës.

Me këtë, Fatmir Uka akuzohet se ka kryer veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Seanca e shqyrtimit fillestar e paraparë të mbahej sot në gjykatën e Mitrovicës ka dështuar të mbahet.

Kjo për arsye se prokuroria nuk ia kishte dorëzuar të pandehurit përkatësisht mbrojtësit të tij, avokatit Kadri Osaj shkresat e lëndës.

Osaj ka thënë se prokurori nuk i ka përmbushur obligimet, duke shpjeguar se nuk e kanë CD ku prokuroria pretendon se ka ndodhur ngjarja, nuk e ka deklaratën e zyrtarit policor Burim Bahtiri, e as raportet policore të katër policëve në vendin e ngjarjes në Mitrovicë dhe në Zhabar.

Avokati i ka propozuar gjykatës që kjo seancë të shtyhet derisa prokuroria t’i sigurojë të gjitha shkresat e lëndës.

Pas kësaj gjykatësi Gëzim Ademi e ka shtyrë seancën në afat të pacaktuar.

Në anën tjetër, i pandehuri Fatmir Uka në deklaratën e tij dhënë në polici e kishte mohuar kryerjen e veprës.

Ndërsa Ylber Uka i cili dyshohet të këtë qenë më të pandehurin në motoçikletë, kishte thënë se nuk ishin ndaluar në shenjën e policit por kanë zvogëluar shpejtësinë, pastaj kanë vazhduar pasi që sipas tij polici me grushtin e dorës së majtë e kishte goditur të pandehurin Fatmir Uka në gojë.