Vendi ku ndodhi vrasja në Suharekë më 17 mars 2019 - Foto: KALLXO.com

Detaje të reja në hetimet për vrasjen në kazino të Suharekës

Polici Sh.S., i dyshuar për vrasjen e para dy muajve në një kazino të Suharekës, nuk ka pranuar të flasë para prokurorit kur është marrë në pytje rreth rastit.

Ai është i dyshuari kryesor për vrasjen e të riut 32 vjeçar Jetmir Aliaj, në vendin e punës, në nja kazino të Suharekës më 17 mars të këtij viti.

Prokurori i rastit Mehdi Sefa tha për KALLXO.Ccm se të dyshuarin Sh.S e ka ftuar në prokurori për të dhënë deklaratën e tij.

Por prokurori tha se ai nuk ka dhënë dekalratë pasi që bashkë me mbrojtësin e tij, kanë kërkuar të dërgohet në ekzaminim psikiatrik.

“Konsideroj se nuk është e arsyeshme kjo kërkesë e të dyshuarit dhe e mbrojtësit të tij,  pasi që me asnjë certifikatë apo dokument nuk është vërtetuar dhe nuk arsyetohet se i njëjti ka nevojë për ekzaminim psikiatrik, apo diçka të ktillë”, tha prokurroi Mehdi Sefa për KALLXO.com.

Gjithashtu Prokurori i këtij rasti tha që duke marrë parasysh karakteristikat e të dyshuarit, se i dyshuari është rreshter policor, gjendja e tij psikike sipas prokurorit është stabile, dhe se prokuroria konsideron se “ai ka qenë plotësisht  i vetëdijshëm për veprimet e tij”.

“Jemi në fazat përfundimtare të hetimit, rasti është trajtuar me prioritet të lartë nga prokuroria duke ditur ndjeshmërinë e rastit, dhe se kemi punuar intensivisht për një hetim sa më të mirë dhe profesional, jemi në fazat përfundimtare të hetimit, kemi siguruar të gjitha provat”, tha Prokurori Mehdi Sefa.

“Mbretëresha e provave” e kishte quajtur prokurori Mehdi Sefa, CD-në të cilën e posedon Prokuroria si provë kryesore në këtë çështje.

Përmbajtja e kësaj  CD-je që është nxjerrë nga serveri i kamerave të sigurisë të lokalit ku është kryer vepra penale, ishte shikuar gjatë seancën për caktim të paraburgimit të datës 19 mars.

Mediat dhe monitoruesit nuk ishin lejuar të jenë të pranishëm në kohën e shikimit të CD-së, por prokurori i rastit Mehdi Sefa pretendon se në të janë provat kryesore të ngjarjes.

Gjatë mbajtjes së seancën së datës 19 mars, i dyshuari Sh.S, nuk ishte deklaruar gjatë, pos që kishte mbështetur fjalën e mbrojtësit të tij, avokatit Sefer Morina.

“E mbështes fjalën e avokatit, s’di çka me fol e me shtu ma shumë”, kishin qenë fjalët e vetme të të dyshuarit Sh.S. gjatë asaj seance.

I dyshuari Sh.S, po qëndron në paraburgim që nga data 19 mars.

 Prokuroria gjithashtu ka vërejtur se mungon një fishek nga ngarkesa në 30 të tillë që Sh.S. i ka pasur si zyrtar i Policisë së Kosovës.

Prokuroria e Prizrenit ka gjetur se karikatorit të armës zyrtare të policit, Sh.S., i mungonte një plumb pas vrasjes që ndodhi të dielën në një kazino të Suharekës.

Sipas Prokurorisë, pas vrasjes së 32 vjeçarit në Suharekë, policit i ishte konfiskuar arma ‘Glock 9 mm’.

“Në vendin e ngjarjes gjatë bastisjes te i pandehuri përveç armës zyrtare 9 mm Glock që është konfiskuar, janë konfiskuar edhe 29 fishekë, ndërsa i pandehuri ka qenë i ngarkuar me 30 fishekë”, kishte deklaruar prokurori Mehdi Sefa në seancën për caktim të paraburgimit.

Në aktvendimin e Gjykatës për caktimin e paraburgimit thuhej se “i pandehuri me qëllim të fitimit të dobisë pasurore me dashje privon nga jeta të ndjerin me iniciale J.A. punëtor i kazinosë, në atë mënyrë që shkon në kazino dhe aty qëndron deri në ora 5:00”.

I dyshuari Sh.S., sipas dosjes së Prokurorisë së Prizrenit, është rikthyer sërish rreth orës 7:30 minuta, dhe papritmas gjatë lëvizjes në kazino në një moment ka nxjerrë armën – pistoletën e markës Glock, dhe nga një afërsi, në distancë një metër, ka shtënë një herë në pjesën e epërme të kokës të të ndjerit i cili ka qenë i ulur në fotele.