Arkiv - E akuzuara Resmije Bytyqi në seancë

Detaje të reja në gjykimin për vrasjen e Abedin Bytyqit, prokurori flet për zgjerimin e aktakuzës

Të akuzuarit për vrasjen e Abedin Bytyqit në Peqan të Suharekës japin mbrojtjen e tyre. Abedin Bytyqi u vra në mënyrë mizore në 6 tetor të vitit 2016.

Tash kur kanë kaluar 2 vite e gjysmë, e pas shumë seancave të mbajtura, daljes në vend të ngjarjes, gjykimi po afrohet drejt procedurave dhe veprimeve përfundimtare.

Të gjithë të akuzuarit Murat Ademi, Reshat Ademi, dhe Fadil Fetiu kanë dhënë deklarimet dhe mbrojtjen e tyre para trupit gjykues, me përjashtim të të akuzuarës Resmije Bytyqi, e cila është mbrojtur në heshtje.

Salla e gjykimit si zakonisht është e mbushur përplot me publik, e të pranishëm janë shumë familjarë të familjes së dëmtuar Bytyqi, përfshirë këtu edhe dy motrat e viktimës Abedin Bytyqi.

Avdi Bytyqi, babai i viktimës vije i fundit në sallë pak para fillimit të gjykimit, i cili e përcjell përfaqësuesin e familjes së dëmtuar avokatin Blerim Mazreku, por vendi i Avdisë në rreshtin e parë është gjithmonë i lirë, sepse të gjithë e dijnë se ku ulet zakonisht Avdi Bytyqi.

Salla sigurohet nga forca të shumta policore, gardianë të burgut të cilët sjellin të akuzuarit që janë në paraburgim, dhe forca nga Njësia e Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës, për të siguruar rendin dhe të pranishmit në sallë.

Seanca filloi me 15-20 minuta vonesë, përderisa u prit që në sallë të sillet e akuzuara Resmije Bytyqi e cila gjendet, në qendrën e paraburgimit në Lipjan, që nga vitit 2016.

I akuzuari Fadil Fetiu, vazhdoi të jepte mbrojtjen e tij, që kishte mbetur në gjysmë nga seanca e kaluar.

Fadil Fetiu gjatë gjithë kohës sa kishte dhënë mbrojtjen e tij kishte kundërshtuar akuzat dhe deklarimet e të akuzuarit Murat Ademi, i cili gjatë deklarimit të tij në dy seanca të gjata e kishte ngarkuar për krimin e kryer.

Fadil Fetiu me të filluar mbrojtjen e tij kishte deklaruar se  “e kanë marrë njeriun prej shtëpisë time me dhunë, s’kam pas çka me ba, s’kam mujtë me i ndihmue”.

Sipas tij i akuzuari Murat Ademi me veturën e tij e kishte marrë nga shtëpia e të akuzuarit Fadil Fetiu tashmë të ndjerin Abedin Bytyqi, të cilit fillimisht ia kishte lidhur duart.

I akuzuari i parë që ka paraqitur mbrojtjen e tij ka qenë Murat Ademi, i cili në 2 seanca që kishin zgjatu gajtë tërë ditës, kishte treguar para trupit gjykues për ngjarjen e ndodhur, edhe në prani të Avdi Bytyqit, babait të viktimës Abedin Bytyqi.

Fadil Fetiu kësaj rradhe u përgjigj në pyetjet e të akuzuarit Murat Ademi. I akuzuari Ademi e pyeti se ndërmjet dy deklaratave të Fadil Fetiut cila është e vërtetë.

Fetiu tha që e vërteta është se: “Ti Murat e ke rrëmbyerr të ndjerin Abedin Bytyqi nga shtëpia ime”.

Gjatë kohës sa Murat Ademi po parashtronte pyetje për të akuzuarin Fadil Fetiu, trupi gjykues e udhëzoi të njëjtin që të konsultohet me avokatin e tij për mënyrën e parashtrim të pyetjeve.

“Për pyetjet e tua është dashtë të bësh një listë në konsultim me avokatin tuaj, e jo me ba pyetje akuzuese e inkriminuese”, i tërhoqi vërejtjen kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani.

“S’kam nevojë për konsult me avokatin për pyetjet e mia, sepse unë vet jam kan në vendin e ngjarjes edhe e di se çka ka ndodh, e vet i bëjë pyetjet”, u përgjigj Murat Ademi.

I akuzuari Murat Ademi vazhdoi duke parashtruar pyejte ndaj të akuzuarit Fadil Fetiu, për pistoletën ngjyrë silver, duke e pyetur se ku gjendej ajo, por i akuzuari Fadil Fetiu mohoi të ketë njohuri për një pistoletë të tillë.

Kur pyetjet e të akuzuarit Murat Ademi u refuzuan nga trupit gjykues i njëjti reagoi duke thënë se: “Prokuroria është dashtë këto pyetje me i ba e me e ditë ku është ajo pistoletë”.

Prokurori Genc Nixha iu drejtua të akuzuarit Murat Ademi: “Botërisht dhe publikisht po ta them. Shumë mirë e dinë se çka ke deklaruar ti për Fadil Fetiun, e tash mos pyet se pse prokuroria nuk i ka ba këto pyetje për revole. Po bëhesh më prokuror se unë’’, vazhdoi prokurori Nixha, duke i thënë të akuzuarit Murat Ademi: “Ti e ke mbrojt me mish e me shpirt të akuzuarin Fadil Fetiu, në 5 deklarat që i ke dhënë në Prokurori”.

Ndërsa Fadil Fetiu nuk pranoi të jepte përgjigje tjera ndaj pyetjeve të Murat Ademit.

“T`u e marr parasysh që Murati ka kaluar në pyetje provokative e akuzuese,  nuk do të përgjigjem më”, deklaroi i akuzuari Fetiu.

Murat Ademi insistoi që të parashtronte pyetje.

“Pyetjet e mia janë në interes të publikut, dhe të familjes Bytyqi të zbardhet e vërteta”, tha ai.

Por të njëjtit iu tërhoq vërejtja nga kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani për prishjen e rendit në gjykatë.

Në përfundim të deklarimit të tij, i akuzuari Fadil Fetiu tha se dëshiron të shtoi diçka me rëndësi që nuk e kishte thënë më parë.

I njëjti tha që deklarimi i të akuzuarit Murat Ademi nuk është i vërtetë.

“Qëllimet e Muratit janë që me u hakmarr ndaj meje dhe me shpëtu lëkurën e vet, dhe me fsheh rastin dhe motivin e vërtetë të kësaj vrasje‘’, tha Fetiu.

I njëjti i tha trupit gjykues se: “Kohët e fundit Murati më është kërcënuar, e atë një javë para se të dalim në vend të ngjarjes, e për këtë punë e kam informuar  edhe prokurorin e avokatin po edhe policinë, por ragimi i policisë ka qenë për habi shumë i thjesht, duke më thënë se Murati po na kërcënon neve e le mo ty”.

“Motivin e vërtetë të këtij rasti e dinë pala e dëmtuar, pra pse është mbyt djali i tyre, mos të mshefet motivi, dhe duhet të zbardhet motivi i vërtetë i kësaj ngjarjeje”, tha i akuzuari Fadil Fetiu.

Avokati Blerim Mazreku që përfaqëson familjen e dëmtuar Bytyqi, edhe pse më herët nuk kishte pyetje për të akuzuarin Fadil Fetiu, tha se pas këtij deklarimi të tij, do të parashtronte pyetje.

“A mund të na thoni motivin e vërtetë të kësaj vrasje mizore?”, e pyeti avokati Mazreku të akuzuarin Fetiu.

Fadil Fetiu tha që sipas informacioneve që ai ka, dhe nga ato që di: “Është çështje morali, se i ndjeri ka prakur në moral Murat Ademit”.

Sipas të akuzuarit gjatë kohës sa kanë qënduar në parabugrim, vetë i akuzuari Murat Ademi i kishte treguar se “i ndjeri më ka prekur në moral”.

Murat Ademi përsëri kërkoi që të parashtronte pyetje për të akuzuarin Fadil Fetiu, por Fetu refuzoi të përgjiegjet në pyetje e të auzuarit Murat Ademi.

E kur trupi gjykues vendosi që i akuzuari Murat Ademi të largohej nga salla për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë, i njëjti iu vërsul të akuzuarit Fadil Fetiu dhe dhe iu drejtua me fjalët “Prej sot je i vdekur o Fadil Fetiu”, por gardianët e burgut e ndaluan t`i afrohet më afër.

Gjithashtu Murat Ademi iu drejtua edhe mbrojtësit të Fadil Fetiut avokatti Esat Gutaj me fjalët se “Edhe ti ruju prej sot”.

I rrethuar nga 4-5 gardianë të burgut Murat Ademi u largua nga salla me forcë.

Në këto rrethana trupi gjykues ndërpreu gjykimin në mënyrë që të qetësohej situata në sallë të gjykimit.

Pas pauzës, kur i akuzuari Fadil Fetiu kishte prfundaur mbrojtjen dhe kishte kryer deklarimin e tij, radha për të paraqitur mbrojtjen i erdhi të akuzuarës Resmije Bytyqi, bashkëshortes të viktimës Abedin Bytyqit.

Mbrojtësi i saj avokati Bashkim Nevzati, lidhur me deklarimin e të akuzurës Resmije Bytyqi tha se: “Deklarimet e mëparshme e kanë konsumuar të gjithë mundësinë lidhur me deklarimin e saj për këtë çështje, andaj as mbrojtja nuk do ta marrë në pyetje por as ajo nuk do të deklarohet”.

Resmije Bytyqi shkurt tha se” “Nuk du me fol”, dhe nuk kishte asgjë më shumë për të thënë, duke e mbështetur fjalën e mbrojtësit të saj.

E akuzuara Resmije Bytyqi në seancë

Para se seanca të vazhdonte avokati Harjip Krasniqi, tha që pas konsutlave me të mbrojturin e tij Murat Ademi, i njëjti kishte kërkuar që t`i lejohej përcjellja e shqyrtimit gjyqësor pas përjashtimit, dhe se ka premtuar që do të respektonte rendin e gjykatës.

Trupi gjykues për shkak të interesit të çështjes, vendosi që në sallë të kthehej Murat Ademi i përjashtuar më parë, i cili kërkoi falje për shqetësimin dhe për sjelljen e tij të mëparshme.

“Ju kërkoi flaje por ishte reagim i mometit, një lloj provokimi ndaj meje”, tha Ademi.

Reshat Ademi, vëllau i Murat Ademit, paraqiti mbrojtjen e i fundit. I njëjti tha që Fadil Fetiun e njeh nëpërmjet vëllaut të tij Muratit, dhe se nuk ka pasur raporte shoqërore me Fadilin. Ndërsa për të ndjerin Abedin Bytyqin, Reshat Ademi tha që e ka njohur si burrë të mirë, dhe se ka pasur raporte të mira.

Përfaqësuesi i familjes Bytyqi avokati Blerim Mazreku, të akuzuarin Reshat Ademi e pyeti se gjatë takimeve me të akuzuarin Fadil Fetiu a i ishte drejtuar me fjlaët “U kry kjo punë, çka keni ba keni ba, dhe shtini në dhe ato çka keni ba edhe u kry muhabeti”.

Reshat Ademi tha që nuk i kujtohen këto fjalë.

“Resmija e ka qu babën e saj te unë, e unë pastaj shkova te ajo në oborr e ajo më pyeti se a nejeh Fadilin, ndërsa Reshat Ademi thotë t`i ketë thënë se po, ndërsa Resmija e kishte porositur t`i dërgonte Fadilit një mesazh ‘Mos të fol Fadili se krejt puna është e rregullume’”, tha i akuzuari Ademi.

Reshat Ademi tha ta ketë pyetur Resmije Bytyqin për rastin.

“Unë i kam thanë Resmijes pse e ke bërë këtë punë? ‘E ka lyp moti me ia bo këtë punë’”, tha Reshat Ademi t`i jetë përgjigjur Resmije Bytyqi, duke shtuar se Resmija e ka pranaur se kishte dorë në zhdukjen e Abedin Bytyqit.

“Unë nuk e di se çka kanë bërë tek kanë bërë, qato fjalët e Resmijes i kam përcjell te Fadili, e unë jam interesu më shumë për këtë çështje, se nëpër Suharekë kam vetë për punën e Abedinit, mos ka pasur problem me dikënd”, përfundoi mbrojtjen e tij i akuzuari Reshat Ademi.

Prokurori i Shtetit Genc Nixha, propozoi që të ndërpritet gjykimi, dhe deri në caktimin e seancës së radhës, të pritet për veprimet e mëtutjeshme të prokurorisë, që ligji ia lejon si zgjerimi i aktakuzës apo plotësimi i aktakuzës.

“Pas deklarimeve të të akuzuarve, është ndryshuar gjendja faktike, pra kemi një situatë tjetër nga ajo që qëndron në aktakuzë”, deklaroi prokurori i çështjes Genc Nixha, i cili tha që prokuroria do të ndërmerr veprimet që i lejon ligji në këtë fazë.

Kallxo.com ekskluzivisht ka sjellë raporte nga të gjitha seancat dhe rrëfimet e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe rrjedhën e seancave për vrasjen e rëndë të ndodhur në vitin 2016.

Gjykimi për vrasjen e Abedin Bytyqit në Peqan të Suharekës

Vëllezërit Murat e Reshat Ademi, akuzohen se më 6 tetor 2016, në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë vrarë Abedin Bytyqin.

Motivi i krimit sipas Prokurorisë ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi.

Aktakuza e ngarkon edhe Fadil Fetiun për moslajmërim të veprës penale, ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.

Sipas aktakuzës Fadil Fetiu duke qenë në dijeni për identitetin e kryerësit të veprës penale të vrasjes së rëndë, e duke mos e lajmëruar një fakt të tillë, se i akuzuari Murat Ademi ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, e në prezencën e Fadil Fetiut, i akuzuari Murat Ademi është larguar së bashku me viktimën Abedin Bytyqin në drejtim të panjohur, e sipas aktakuzës Fadil Fetiu ka kryer veprën penale të moslajmërimit të veprës penale apo kryerësit.

Fadil Fetiu gjatë gjithë kohës sa kishte dhënë mbrojtjen e tij kishte kundërshtuar akuzat dhe deklarimet e të akuzuarit Murat Ademi, i cili gjatë deklarimit të tij në dy seanca të gjata dhe në një rrëfim të gjatë, e kishte ngarkuar për krimin e kryer.

Fadil Fetiu me të filluar mbrojtjen e tij kishte deklaruar se: “E kanë marrë njeriun prej shtëpisë time me dhunë, s’kam pasë çka me ba, s’kam mujtë me i ndihmue”, pasi që sipas tij i akuzuari Murat Ademi me veturën e tij e kishte marrë nga shtëpia e të akuzuarit Fadil Fetiu tashmë të ndjerin Abedin Bytyqi, të cilit fillimisht ia kishte lidhur duart.

https://kallxo.com/plaku-shperthen-ne-lot-ma-vrane-se-ma-vrane-djalin-po-pse-ja-djege-trupin/

Prokuroria në aktakuzë ka sqaruar edhe veprimet konkrete të secilit. Murat Ademi, sipas aktakuzës, kishte shfrytëzuar situatën kur i ndjeri po kryente disa punime në elektrikë në shtëpinë e Fadil Fetiut.

Aty siç përshkruan aktakuza Murati nën kërcënimin e armës e kishte lidhur viktimën. Pasi e kishte lidhur, Murati e kishte hipur viktimën në veturë dhe e kishte dërguar në një vend ku po priste Reshat Ademi.

Në këtë vend, siç përshkruhet në aktakuzë, dy të akuzuarit e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore në trupin e të ndjerit.

Sipas përshkrimit të prokurorisë, të pandehurit nuk ishin mjaftuar me rrahjen kur në mënyrë mizore viktimës ia kishin vënë zjarrin duke i shkaktuar dhimbje deri në shkaktimin e vdekjes.

Të akuzuarit më pas e kishin vendosur viktimën në një gropë dhe e kishin mbuluar me dhe.

Nga të gjitha veprimet prokuroria i akuzon Murat e Reshat Ademin për veprën penale të vrasjes së rëndë, Fadil Fetiun për moslajmërim të veprës penale ndërsa Resmije Bytyqin shtytje në vrasje.

Prokuroria pretendon se ka prova që bashkëshortja ishte shtytësja e vrasjes.

Prokurori përshkruan se e akuzuara Resmije Bytyqi, në kohë të pacaktuar të vitit 2016, në takimet paraprake të cilat i kishte pasur me të akuzuarin Murat Ademi (djalin e xhaxhait) e ka shtyrë këtë të fundit që ta kryejë veprën penale të vrasjes ndaj bashkëshortit të saj Abedin Bytyqi.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, e akuzuara Resmije, gjatë bisedave me të akuzuarin Murat Ademi, kishte deklaruar se bashkëshorti i saj Abedini po e maltretonte e rrihte, duke i cekur se nëse i njëjti nuk ndërmerr ndonjë veprim do të porosisë ndonjë person tjetër për ta vrarë – eliminuar bashkëshortin e saj. I akuzuari Murat, i shtytur nga fjalët e saja së bashku me vëllain e tij në bashkëkryerje ndërmarrin veprime me qëllim të privimit nga jeta të tani të ndjerit Abedin Bytyqit.