Detaje nga seanca e paraburgimit ndaj policit dhe pesë të tjerëve për kokainë

Një hetim pesë mujor i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka rezultuar me gjashtë të arrestuar nën dyshimin për blerje, posedim e shitje të substancave narkotike.

Nga gjashtë të arrestuarit është edhe një zyrtar policor i rajonit të Ferizajt me inicialet B. J.

Përveç këtyre gjashtë të arrestuarve një zyrtar policor tjetër është suspenduar nga puna, shkaku i kolegut të tij të cilin nuk e kishte regjistruar në sistemin e hyrjes në pikën kufitare në Vërmicë.

Gjatë ditës së djeshme është mbajtur seanca për caktimin e masës së paraburgimit, masë kjo e kërkuar nga ana e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

E gjitha nisi, kur Prokuroria Themelore në Ferizaj së bashku me njësitet hetuese të policisë, filluan përgjimet të një grupi i cili dyshohej se posedonin, blinin dhe shisnin substanca narkotike të llojit kokainë.

Në kërkesën për paraburgim, thuhet se që nga muaji maj deri më 7 tetor të këtij viti të pandehurit në mënyrë të paautorizuar kanë bërë transportimin dhe shitjen e lëndëve narkotike të llojit kokainë.

Në lidhje me këtë rast, Njësiti i Antidrogës në kuadër të Policisë së Kosovës kishte ndërmarr veprime dhe kishte bërë kontrolle në tri lokacion të rajonit të Ferizajt, më saktësisht në Ferizaj, Kaçanik dhe Vërmicë.

Duke filluar nga i pandehuri i parë, polici i Rajonit të Ferziajt, B. J., ishte ndaluar për kontroll në pikën kufitare në Vërmicë. Gjatë kontrollimit të tij dhe veturës së tij, policia kishte arritur të gjej dhe konfiskojë 552 gram lëndë narkotike të llojit kokainë.

Një kontroll i dytë ishte bërë në Ferizaj, saktësisht në banesën të cilët të pesë të pandehurit e tjerë Sh. H., F. H., P. H., B. B. dhe SH. I., sipas Prokurorisë e kanë marrë me qira dhe në të janë gjetur e konfiskuar, 108 gram substancë narkotike e llojit kokainë, me disa pjesë të përgatitura për shitje, një peshore dixhitale për matjen e narkotikëve, para në vlerë prej 3 mijë e 100 eurove dhe disa mjete identifikimi, saktësisht letërnjoftime të cilët sipas Prokurorisë pas shqyrtimit të transkrptimit do të identifikohen pasi lind dyshimi se të njëjtit kanë blerë narkotik dhe në mungesë të parave kanë lënë letërnjoftimet peng.

Në shtëpinë e të pandehurit B. B. policia ia ka konfiskuar dy revole të tipit “Zastava”, 56 fishekë të kalibreve të ndryshme, ku gjashtë nga gjithsej fishekët ishin fishekë të pushkës së gjuetisë, të cilat sipas Prokurorisë, i dyshuari po i mbante në kundërshtim mbi Ligjin për armë.

Sipas Prokurorisë, kërkesa për paraburgim duhej të ndodhte pasi që ekziston dyshimi se të njëjtit po të qëndronin në liri mund të ndikonin në bashkëpjesëmarrësit, te dëshmitarët të cilët janë furnizuar nga i njëjti grup me substanca narkotike të cilët këta të fundit pritet të identifikohen pas shqyrtimit të transkriptove.

Gjashtë seancës së parë për caktimin e masës së sigurisë, gjashtë të pandehurit kishin avokatë të cilët ishin caktuar sipas detyrës zyrtare.

Katër nga gjashtë të pandehurit preferuan të mbrohen në heshtje, ndërsa dy prej tyre preferuan të deklarohen në emër të tyre.

Sipas vendimit për caktimin e paraburgimit, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, avokati i zyrtarit policor, B.J., Burhan Qosa, kishte kundërshtuar masën e caktimit të paraburgimit duke thënë se klienti i tij kishte pranuar veprën në polici, veprën e cila i është ngarkuar.

Gjithmonë sipas vendimit të Gjykatës, avokati Qosa ka thënë se klienti i tij nuk ka lidhje me grupin dhe se i njëjti nuk ka bashkëpunuar me pesë personat e tjerë të ngarkuar për të njëjtën vepër.

Mbrojtësi i të pandehurit të dytë Sh. H., avokati Beqir Haxhimusa ka deklaruar në emër të klientit të tij, se ky i fundit e ka pranuar veprën se i janë gjetur tri qese me substanca narkotike të llojit kokainë dhe se është konsumues i lëndëve narkotike, por i pandehuri nuk ka pranuar ngarkimin e veprës penale për shitje të substancave narkotike.

Mbrojtësi i të pandehurit F. H., avokati Avni Ibrahimi, është deklaruar në emër të klientit të tij duke thënë se për të njëjtin nuk ka dëshmi që është i përfshirë në grupin i përfshirë në veprën penale, për shitje, blerje, shpërndarje të lëndëve narkotike.

Mbrojtësi i të pandehurit tjetër, P. H., Avokatja Elvira Heta- Vata ka thënë se i mbrojturi i saj deri në fund të qershorit ka qenë nën masën e paraburgimit për një procedurë tjetër. Ajo ka shtuar se i mbrojturi i saj nuk ka qenë asnjëherë pjesë e grupit siç përshkruhet në kërkesë.

Mbrojtësi i të pandehurit Sh. I., i caktuar sipas detyrës zyrtare avokatja Edita Shahini ka deklaruar se klienti i tij nuk ka qenë në dijeni për veprën për të cilën e ngarkon Prokuroria.

 

11 Tetor 2018 - 11:06

Adelina Ahmeti 11/10/2018 - 11:06
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend