Detaje nga gjykimi për 825 kg drogë të fshehur në tavolina

Në gjykimin për 824 kg drogë të llojit marihuanë, i njohur si rasti ‘Shkurt”, janë dhënë fjalët përfundimtare.

Në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Afrim Luma, Ramadan Hyseni, Fehmi Gashi dhe Fatos Ahmeti akuzohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve. Këta të akuzuar dyshohen se në periudhën kohore shkurt 2017 deri 30 prill 2017,  me qëllim që vetes t`i sjellin dobi pasurore janë marrë me blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të llojit “marihuanë”.

Sipas aktakuzës, këta të akuzuar në mënyrë të organizuar, me qëllim për ta shitur e kanë blerë narkotikun e llojit “marihuanë” nga i shtetasi i Shqipërisë Amir Sherifi, i cili ndodhet në arrati.

Sipas aktakuzës, droga ishte i fshehur në tavolina dhe dërrasa, me qëllim që të transportohej dhe të shitej në shtetet evropiane.

Policia e Kosovës me anë të aplikimit të masave të fshehta të hetimit, kishte rënë në gjurmë të veprimeve inkriminuese të të akuzuarve, dhe me anë të bastisjes në objektet e të akuzuarve i ka sekuestruar 824 kg e 706 gram narkotikë të llojit “marihuanë”.

Në këtë rast akuzohet edhe Gëzim Abazi për pjesëmarrje ose organizim në grupin kriminal në ndihmë, duke qenë se i njëjti i ka ofruar katër të akuzuarve të parë mjete ndihmëse për ta kryer veprën penale.

Ndërsa të akuzuarit Fatmir Statovci, Zeqir Berisha dhe Lutfi Nebiu, akuzohen për dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale.

Fatmir Statovci akuzohet se i ka fshehur dy tavolina, në të cilat ishte i fshehur një pjesë e narkotikut. Ndërsa, i akuzuari Zeqir Berisha akuzohet se i ka fshehur 10-12 thasë dhe disa tavolina e dërrasa, ku ishte e fshehur “marihuana”.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale Lutfi Nebiu, akuzohet se i ka fshehur 20 tavolina në të cilat ishte e fshehur “marihuana”.

Shqyrtimi gjyqësor në këtë rast është duke u mbajtur në Gjykatën e Gjilanit në përbërje të trupit gjykues, kryetarit Zyhdi Haziri dhe anëtarëve Islam Thaçi dhe Agim Ademi.

Shqyrtimi gjyqësor është në fazën e fjalës përfundimtare për të akuzuarit Fatmir Statovci, Zeqir Berisha dhe Lutfi Nebiu.

Në këtë shqyrtim gjyqësor, prokurorin e prokurorisë speciale Haki Gecaj, i cili e ka ngritur aktakuzën, e zëvendësoi prokurorja Fikrije Zejnullahu.

Në fjalën përfundimtare për të akuzuarin Fatmir Statovci, mbrojtësi i tij Enver Halili deklaroi se i akuzuari i kishte pranuar tavolinat duke mos e ditur se në to janë fshehur narkotikët. Duke qenë se nga provat dhe dëshmitë sipas mbrojtësit nuk është vërtetuar se i akuzuari ka qenë në dijeni për narkotikët e fshehur në tavolinat të cilat i kishte pranuar, atëherë mbrojtësi propozon që i akuzuari Fatmir Statovci të lirohet nga akuzat që i ngarkohen.

Ndërsa i akuzuari tjetër Zeqir Berisha, u deklarua vet në fjalën përfundimtare, duke qenë se mbrojtësi i tij Beqir Haxhimusa ka hequr dorë nga mbrojtja.

I akuzuari Zeqir Berisha në seancat e kaluara e kishte pranuar fajësinë për ndihmën që kishte dhënë në kryerjen e veprës penale dhe në fjalën përfundimtare deklaroi se ndjen keqardhje për veprimet e tij dhe i beson gjykatës për vendimin që do të marrin.

Në fjalën përfundimtare për të akuzuarin Lutfi Nebiu, mbrojtësi Shemsedin Pira, deklaroi se akuzat ndaj klientit të tij janë të bazuara tërësisht në pohimet e një të pandehuri dhe se nuk është provuar në shqyrtimet e kaluara se Lutfi Nebiu e ka kryer këtë vepër penale.

Fjala përfundimtare për të akuzuarit e tjerë është dhënë në shqyrtimet e kaluara për këtë çështje.

Duhet të theksohet se këtë rast e ka inicuar Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe më pas është bartur në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Kosovës. Për këtë rast tani është duke u mbajtur shqyrtim gjyqësor në Gjykatën Themelore të Gjilanit.

https://kallxo.com/video-ferizaj-droga-ne-shkalle-deshton-transporti-per-zvicer/

.