Gjykimi për krim të organizuar - Foto: KALLXO.com

Dështon të mbahet gjykimi kundër të akuzuarve për kontrabandim karburantesh nga Serbia

Në Gjykatën e Mitrovicës ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në rastin e të akuzuarve Millan Bozhoviq, Dragomir Bozhoviq dhe Zhelko Millashinoviq.

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon të pandehurit se në periudhën kohore maj 2009 deri në korrik 2011 me dashje dhe dijeni kanë kryer veprimtari kriminale.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Millan Bozhoviq, Dragomir Bozhoviq dhe Zhelko Millashinoviq duke shfrytëzuar pikat kufitare 1 (Leposaviq) dhe 31 (Zubin Potok) kanë bërë kontrabandë me mallra, shmangie doganore dhe tatimore, ku si pjesë e kësaj ishte edhe grupi kriminal i organizuar në veri të Kosovës në përbërje të këtyre të pandehurve.

Në aktakuzës thuhet se përmes kompanive të regjistruara në emrat e tyre, i pandehuri Millan Bozhoviq si pronar i kompanisë “P.P MIN PROM“, ndërsa i pandehuri tjetër Dragomir Bozhoviq po ashtu si pronar i të njëjtës kompani sipas agjencisë së regjistrimeve ekonomike të Serbisë, kurse i pandehuri tjetër Zhelko Millashinoviq si vozitës i maunave për transportin e karburanteve për kompaninë “MIN PROM“ nga Serbia në Kosovë, kanë blerë karburante në Serbi dhe të njëjtat i kanë futur ilegalisht në Kosovë.

Gjithnjë sipas akuzës, këto kompani nuk kanë pasur licencë për importimin e karburanteve.

Këto karburante transportohen nga auto-transportuesit të cilët janë të regjistruar në Serbi dhe të njëjtit nuk paraqiten në terminalin doganor në jug të Mitrovicës ku kanë qenë të obliguara të zhdoganohen.

Tutje në akuzë thuhet se këta kamionë i dërgojnë këto karburante direkt në pompat e benzinës të cilat gjenden në veri të Kosovës dhe të cilat nuk kanë leje përkatëse për tregti me karburante, kurse pasi që nuk paguajnë tatim kjo sasi shitet me çmim më të lirë gjegjësisht nën çmimin e tregut.

Nga aktakuza rezulton se të pandehurit kanë futur mallra të importuara në mënyrë të kundërligjshme dhe të kontrabanduara nga Serbia në Kosovë në vlerë të përgjithshme prej 3,035,911.36 euro.

Me këtë të pandehurit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës duke iu shmangur pagesës së akcizës në shumën prej 1,243,348.59 euro, llojit të tatimit në emër te TVSH-së në shumë prej 684,681.60 euro, tatimit të paragjykuar 3% në vlerën e shitur në shumë prej 92,705.43 euro dhe në emër të kontributeve pensionale në shumën prej 30,901.81 euro.

Me këtë kanë kryer veprën penale – krim i organizuar nga neni 274 par.1 dhe par. 2 të KPPK-së lidhur me veprat penale kontrabandim i mallrave, shmangia nga tatimi, shmangia nga akciza dhe detyrimet e importit.

Paraprakisht kryetari I trupit gjykues Avni Mehmeti, njoftoi palët prezentë se në seancë ishte i akuzuari Millan Bozhoviq dhe mbrojtësi i tij avokati Faruk Korenica, ndërsa prokurori nga Prokuroria Speciale e Kosovës Agron Bajrami e kishte njoftuar Gjykatën përmes një shkrese zyrtare se nuk mund të prezantojë në seancë pasi që sipas tij në të njëjtën ditë është i zënë në një rast tjetër ne Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Në seancë ka munguar edhe i pandehuri Zhelko Millashinoviq të cilit i ishte dërguar ftesa, po ashtu edhe të pandehurit Bozheviq i ishte dërguar ftesa për këtë seancë por nuk kishte mundur t’i dorëzohej, dhe ftesa dhe fletë-kthesa janë kthyer në Gjykatë me konstatimin se pala kishte vdekur.

Gjyqtari Mehmeti po ashtu njoftoi se për të pandehurin Dragomir Bozhoviq do të verifikohet nëse ende jeton apo ka vdekur.

Ndërsa për të pandehurin Zhelko Millashinoviq do të lëshohet fillimisht urdhër-arrest vendor pastaj nëse nuk arrihet efekti do të kërkohet edhe urdhër-arrest ndërkombëtar, ka njoftuar gjyqtari Avni Mehmeti.

Seanca është shtyrë në afat të pacaktuar.