Dështon seanca për krime lufte ndaj Milorad Zajiq

Seanca e parë që ishte paraparë të mbahet sot në gjykimin për krime lufte ka dështuar për shkak se mbrojtja nuk është pajisur me shkresat e lëndës.

Në këtë seancë pritej të bëhet shqyrtimi fillestar i akuzës ndaj të akuzuarit për krime lufte Milorad Zajiq.

Prokurorja Speciale Fikrije Fejzullahu, tha se ka bëre përpjekje që të pajisë me shkresa mbrojtjen por nuk ka arritur.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Milorad Zajiq, avokati Millosh Deleviq, propozoi shtyrjen e seancës.

“ Për shkak se jam me autorizim zëvendësues dhe nuk kam informata nëse mbrojtësi Dejan Vasic është pajisur me aktakuzën, andaj konsideroj që është më mirë që seanca të shtyhet “, deklaroi avokati Delaviq.

Pasi që prokuroria në aktakuzë ka propozuar masën e paraburgimit, gjykata kërkoji nga palët që të deklarohen në lidhje me masën e propozuar.

Prokurorja speciale tha se mbetet pranë kërkesës për paraburgim të cilën e ka paraqitur në aktakuzë.

Kërkesën e tillë e kundërshtoi avokati Milosh Delaviq.

“ Kërkoj që të refuzohet kërkesa e prokurorisë dhe theksoj se masa e arrestit shtëpiak ka dhënë efekt të plotë, po ashtu gjykata është e obliguar që të mos aplikojë masa me të rrepta, nëse masa ma e butë do të ketë efekt të njëjte “, tha avokati Delaviq.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 22 gusht.

Ndërsa i akuzuari për krime lufte Milorad Zajiq tha se nuk do të lëvizë nga shtëpia. Milorad Zajiq, akuzohet se u përfshi në përndjekjen e fqinjëve të tij duke ofruar shtëpinë e tij si bazë për ushtrinë e duke qëlluar në drejtim të shtëpive të shqiptarëve.

Sipas aktakuzës, ai ishte parë nga fqinjët derisa shkarkonte nga makina e tij “Zastava” armë ndërsa në mbrëmje i vetëm kishte nisur të qëllonte në drejtim të shtëpive të shqiptarëve.

Nga këto sulme mbetën të djegur në shtëpitë e tyre tre të moshuarit Zade, Osman dhe Haradin Marmullaku.

Gjithnjë sipas aktakuzës viktima të këtyre sulmeve ishin edhe katër banorë të tjerë të vrarë, gruaja dhe vajza e të dëmtuarit Xheme Marmullaku dhe Ismet e Bashkim Marmullaku

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë rast.